Pendarovski në ditën e parë të punës: Takim me Zhbogarin dhe porosi për pajtim qytetar


Ditën e parë të punës presidenti i ri Stevo Pendarovski e filloi me porosi për pajtim qytetar dhe shërim të plagëve të hapura nga e kaluara e afërt.

“Është koha t’i shërojmë plagët e hapura nga e kaluara jonë e afërt dhe realisht ta fillojmë pajtimin qytetar, sepse nuk kemi atdhe rezervë të cilin mund ta quajmë shtëpi tonën. Në atë rrugë dëshiroj të jap mund, duke mos mbajtur llogari për rejtingun personal politik. Të gjithë njerëzit qëllimmirë, politikanët dhe partitë që do të vendosin të shkojnë rrugës së njejtë, do ta kenë mbështetjen time”, porositi sot në mëngjes Pendarovski përmes Fejsbukut.

Në ditën e parë të mandatit presidencial, Pendarovski në “Vilën Vodno” do të ketë takim me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Samoel Zhbogar.

Në inaugurimin e djeshëm në Kuvend, Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, edhe i atyre të cilët votuan për të, e edhe i atyre që votuan për kundërkandidatët e tij, si dhe të atyre të cilët nuk dolën në votim.

“Puna e parë që do ta bëj, është ta shtrij dorën për bashkëpunim ndaj opozitës”, tha presidenti Pendarovski në inaugurim, duke shtuar se është koha të fillojë pajtimi qytetar sepse nuk kemi atdhe rezervë që mund ta quajmë shtëpi tonën.

Shefi i shtetit paralajmëroi se do të luftojë kundër ndarjes në shoqëri, se do t’i mbrojë të drejtat e pakicës politike, se maksimalisht do të angazhohet për përfundim të anëtarësimit të barabartë të vendit në BE dhe NATO, si dhe se posaçërisht vëmendje do t’u kushtojë marrëdhënieve ndëretnike.

Në mbledhjen solemne në Kuvend morën pjesë presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Serbisë, ministri i Punëve të jashtme i Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviq, shefi i diplomacisë greke, Jorgos Katrugallos, delegacione të larta të Turqisë, Polonisë dhe Sllovenisë, deputetë, funksionarë qeveritarë dhe përfaqësues diplomatik.

Urim me rastin e inaugurimit të Pendarovskit dërgoi edhe kryeministri Zoran Zaev.

Pendarovski, takimet e para ndërkombëtare i pati me delegacione të larta shtetërore nga shtetet fqinje ballkanike që morën pjesë në mbledhjen solemne të Kuvendit. Ai u takua me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i ri takimet e para ndërkombëtare i pati me delegacione të larta shtetërore nga shtetet fqinje ballkanike që morën pjesë në mbledhjen solemne të Kuvendit.
Stevo Pendarovski është shefi i pestë i shtetit që prej pavarësisë. Para tij funksionin e presidentit e kryen Kiro GLigorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe GJorge Ivanov.