PDSH zgjedh strukturat e reja në Strugë

Në vazhdën e përgatitjeve të kongresit të shtatë të Partisë Demokratike Shqiptare dje u mbajt kuvendi i rregullt i degës së PDSH-së në Strugë, punimet e të cilit u ndoqën nga kryetari i partisë, Menduh Thaçi, si dhe anëtarë të këshillit për organizimin e kongresit të partisë.

Sipas kumtesës së PDSH-së, në kuvendin e degës së Strugës për kryetar të degës u zgjodh Mendi Hasani. Gjithashtu në këtë kuvend u zgjodhën edhe kryesia e degës, delegatët e kongresit, si dhe propozimet për anëtarë të kuvendit qendror të Partisë Demokratike Shqiptare.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pasi përshëndeti punimet e kuvendit theksoi rëndësinë e zhbllokimit të proceseve integruese si dhe rëndësinë e implementimin të plotë të marrëveshjes me Greqinë, andaj në këtë drejtim kërkoi një angazhim maksimal të strukturave partiake.