PDSh: Shqiptarët janë pro BE-së dhe NATO-s


Nënkryetarja e PDSh-së, Fatmire Isaku, në një konferencë informoi për angazhimet e liderit të kësaj partie, Menduh Thaçit, përmes takimeve të shumta të cilat po i realizon e që janë në interes të vendit, respektivisht rreth mbarëvajtjes së procesit të referendumit.
Sipas saj, i tillë ka qenë edhe takimi i djeshëm i Menduh Thaçit me krerët më të lartë të shteti të Kosovës, të Shqipërisë dhe ata ndërkombëtarë,  për të marrë mbështetje për Maqedoninë. Sipas saj, shqiptarët gjithmonë kanë qenë dhe janë pjesë konstruktive e procesit dhe pro anëtarësimit në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
“Në bashkëbisedim të drejtpërdrejt, PDSh u shpjegon qytetarëve se cilët janë përfitimet nga anëtarësimi në strukturat euroatlantike dhe çfarë konkretisht fitojnë shqiptarët nga ky proces. PDSh do vazhdojë në mënyrë intensive jo vetëm me takimet me qytetarët, por edhe në takimet me bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë, të kërkojë përkrahjen e tyre në këtë moment të rëndësishëm. Shqiptarët kanë qenë gjithnjë të përcaktuar pro anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe se ky përcaktim më 30 shtator do të vuloset”,– deklaroi nënkryetarja e PDSh-së, Fatmire Isaku./RTM2