Pas tragjedisë në Gostivar, Qeveria premton zgjidhjen e problemit me qentë endacakë


Qeveria e Maqedonisë në seancën e 101 ka iniciuar ndryshime në ligjin për mbrojtje shëndetësore dhe mirëqenie të kafshëve.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit me Ujërat është e obliguar që bashkë me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, me Komunitetet e Njësive për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Maqedonisë dhe në bashkëpunim me organizatat civile për mbrojtjen e kafshëve, në afat sa më të shkurtër për përgatisë ndryshime ligjore me të cilat do të tejkalohet problemi me qentë endacakë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për seancën e djeshme.

Çështja e problemit me qentë endacakë, u riaktualizua pas ngjarjes tragjike të së hënës në Gostivar në të cilën, një 17 vjeçare duke ikur nga qentë endacakë ka rënë në lumin Vardar dhe ka humbur jetën.

Në opinion ka pasur reagime të shumta dhe kritika për politikat e autoriteteve për menaxhim me këtë problem duke e pasur parasysh se ngjarja e së hënës ishte, ashtu edhe siç thanë nga shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”, ishte ajo që më së shumti frikësoheshin se do të ndodh.