Pas publikimit të stenogrameve nga takimi i liderëve, fillojnë akuzat në Greqi


Qëndrimet e Qeverisë greke në negociatat për emrin, por edhe mendimet për Demokracinë e Re opozitare, ashtu siç janë transmetuar në stenogramet e publikuara nga “Katimerini” dhe FAZ gjerman, nga të dy takimet e liderëve në Maqedoni, shkaktuan reagime në Greqi dhe zënka midis Qeverisë dhe opozitës.

Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, reagime të posaçme shkaktoi pjesa në të cilën kryeministri i Maqedonisë përmend se është takuar me eurodeputeten dhe zëdhënësen e Demoracisë së Re, Maria Spiraki.

Nga Qeveria greke thonë se “takimet e fshehta të përfaqësueses speciale të Micotakisit, e tregojnë hipokrizinë dhe papërgjegjësinë kombëtare të liderit të opozitës” dhe kërkojnë shpjegime nga Demokracia e Re.

“Duhet të përgjigjen: pse e mbanin në fshehtësi takimin? Cili është qëllimi i takimit para se të fillojë cikli zyrtar i kontakteve të Qeverisë greke, me Qeverinë e IRJM-së? Çfarë mesazhe të besueshme i transmetoi zotëri Zaevit në emër të zotëri Micotakisit? A kishte edhe takime të tjera të këtilla të rastësishme nëpër kafene me pushtetin politik të fqinjit, që vendosi t’i mbajë në fshehtësi?”, pyesin nga qeveria greke.

Spiraki, madje, duke folur për mediat greke, tha se me Zaevin është takuar rastësisht kur ka shkuar në kafe.

Me kumtesë për stenogramet doli edhe Demokracia e Re dhe i akuzoi Ciprasin dhe Koxiasin se në mënyrë amatore, që nga momenti i parë, kanë menaxhuar me çështjen konkrete kombëtare.

Nga partia opozitare greke thonë se nga procesverbalet konfirmohet se Qeveria në fazën e parë të negociatave të fshehta është dakorduar me emrin e papranueshëm Maqedonia e Ilindenit”, konfirmohet se “opozita nuk do të pajtohet për marrëveshje si ajo e Prespës, as tani, as si Qeveri e ardhshme”.

“Por, më e rëndësishmja nga e gjithë kjo që e zbulon ‘Katimerini’ është se e gjithë udhëheqësia e Shkupit konstaton se vendi i tyre nuk do të gjejë Qeveri greke më të përshtatshme nga ajo e Ciprasit. Me të vërtetë është e sigurt se Qeveria e Ciprasit dhe Kamenosit është e gatshme të firmosë marrëveshje me shpejtësi, duke hequr dorë nga nacionaliteti dhe gjuha ‘maqedonase’ e shkupjanëve”, komentojnë nga Demokracia e Re.

Nga Qeveria greke me kumtesë të re edhe njëherë i parashtruan pyetjet e njëjta rreth takimit Zaev – Spiraki dhe thanë se presin përgjigje nga Demokracia e Re.

Ndërsa përgjigje për takimin kërkojnë edhe nga partia Lëvizja e ndryshimit.

Stenogramet nga të dy takimet e liderëve në Maqedoni i publikuan gazeta gjermane “Frankfurter Algemajne Cajtung” (FAZ) dhe gazeta greke “Katimerini”./Gazeta e Pavarur