Partitë shqiptare përshëndesin marrëveshjen


Partitë shqiptare përshëndesin marrëveshjen e firmosur në Prespë nga shefat e diplomacive të dy vendeve Dimitrv e Kocijas. Nga BDI thonë se marrëveshja po realizon ëndrrën për një Maqedoni të integruar në BE dhe NATO. Artan Grubi tha se firmosja e dokumentit përbënë vetëm fillimin e procedurës së miratimit dhe implementimit të saj. Grubi kërkoi gjithashtu që edhe opozita ta mbështesë këtë marrëveshje.

 

Kemi merituar tërësisht datën për fillimin e negociatave në Samitin e këshillit të Bashkimit Evropian në fund të këtij muaji si dhe ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e korrikut që do të mbahet në Bruksel. Më e vështira e gjithë këtij procesi do të jetë miratimi në Kuvend si dhe zbatimi i një referendumi të suksesshëm. Çdo përpjekje për ta penguar këtë proces do të ballafaqohet me reagimin e fuqishëm të partnerëve të koalicionit të cilët janë të përkushtuar, edhe ne si BDI dhe LSDM për të pasur sukses në këtë marrëveshje. Opozita duhet të rreshtohet në agjendën euro atlantike të Maqedonisë dhe mos tenton të pengon realizimin e aspiratave të qytetarëve – deklaroi Artan Grubi, BDI.

Marrëveshjen për emrin e mbështetë edhe partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët. Flakron Bexheti tha se kryesia e partisë do të analizojë detajet e marrëveshjes dhe do të ndërtojë qëndrim në rast të vërejtjeve eventuale.

 

Sa i përket detajeve të marrëveshjes organet e partisë, përfshirë kryesinë dhe akademinë politike të partisë do të japin një sqarim më të detajuar për vërejtjet eventuale ndërsa ne e vlerësojmë si akt pozitiv nënshkrimin e kësaj marrëveshje duke i inkurajuar palët që të vazhdojnë me zbatimin e saj deklaroi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Marrëveshjen për emrin e mbështetë edhe lëvizja Besa e Afrim Gashit, e cila është pjesë e ekzekutivit. Në një komunikatë të Besës thuhet se ndonëse, si shqiptarë, mund të kishim bërë edhe saktësime për pjesë të caktuara të marrëveshjes – që kanë të bëjnë me identitetet etnike dhe gjuhësore në vend, por kur kihet parasysh se kjo marrëveshje është hap për anëtarësim në NATO dhe hapje të negociatave për BE, mbase ky duhet të jetë edhe kompromisi jonë, thuhet në komunikatën e Besës./Alsat M/Vjollca Aliti/