Partitë po kalkulojnë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare?!

Vazhdon përshtjellimi i debatit për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet. Përderi sa nuk ka akoma një vendim të prerë nga shumica e partive të tjera, e prerë duket të jetë vetëm VMRO-DPMNE-ja e cila e para kërkoi zgjedhje. Kryeminsitri Zaev deklaroi se qëndrimi i tij personal është se zgjedhje nuk duhet të ketë, përcjellë Alsat-M.

“Mendimi im personal, unë e them prej fillimit të mandatit, dhe ai është se Maqedonia duhet të mbajë një mandat të plotë sepse njerëzit janë të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata kanë ndikim mbi ekonominë, mbi reformat, mbi rrjedhën normale të përditshmërisë. Por gjithsesi unë jam vetëm një person, jam demokrat. Nuk ka dallime vetëm mes partnerëve por ka dallime edhe brenda partisë time, siç e shihni, tek një pjesë e qztetarëve dhe një pjesë e minsitrave”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

BDI-ja, nga ana tjetër, ka deklaruar se vendi për momentin ka për obligim realizimin e interesave më të mëdha strategjike.

“Interes shtetëror në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve parlamentare por nëse të tjerët kërkojnë zgjedhje, BDI-ja është e gatshme t’i përgjigjet çdo përballje”, theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Qëndrim të përafërt ka edhe partia tjetër në koalicionin qeveritar, Besa e Afrim Gashit.

“Në organet e partisë akoma nuk është diskutuar për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme por jemi thellësisht të interesuar që të vazhdojë procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe reformave të tjera për anëatrësim në NATO dhe BE. Gjithsesi se ka argumente “pro” të dy opsioneve por të dy duhet të realizohen në kuadër të procesit në të cilin ndodhemi aktualisht dhe kjo kërkon qasje me seriozistet maksimal”- tha Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa.