Partitë nuk largojnë reklamat nga zgjedhjet lokale


Tashmë shtatë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale partitë politike në Maqedoni akoma nuk i kanë larguar materialet reklamuese të anëtarëve të tyre, siç janë pllakatet dhe billborded në vendet kyçe të qyteteve. Kodi zgjedhor definon se pjesëmarrësit në kampanjën zgjedhore janë të detyruar që në afat prej 30 ditësh pas mbarimit të zgjedhjeve t’i largojnë mbetjet nga pllakatet reklamuese.

Neni 184 i Kodit Zgjedhor thotë:

“ Gjobë prej 1000 – 3000 euro do ti shqiptohet kryetarit të komunës dhe atij të Qytetit të Shkupit derisa nuk marrin masa kundër nenit 78 i cili thotë se: Komunat janë të detyruara që një pjesë të mjeteve që i marrin nga reklamat, pas mbarimit të zgjedhjeve t’i shfrytëzojnë për eliminimin e mbetjeve të bëra gjatë kohës së kampanjës.

Gjoba në vlerë prej 5000 eurosh do t’u shqiptohet personave juridik të cilët menaxhojnë me reklamat, panotë dhe bilbordet derisa veprojnë kundër nenit 78, pika 4 dhe 5. Gjobë në vlerë prej 2,500 eurosh do t’i shqiptohet partisë politike të regjistruar, koalicionit apo kandidatit të pavarur nëse në afat prej 30 ditësh pas mbarimit të zgjedhjeve nuk do t’i largojë mbeturinat e pllakatave”.

Nga KSHZ thonë se ata nuk janë kompetent për dhënien e gjobave, duke thënë se Inspektoratet e Komunave janë përgjegjëse për një gjë të tillë. Por nga komunat shfajësohen duke thënë se KSHZ është organi i cili mund të shqiptoj gjoba.

Qyteti i Shkupit

“Institucionet të cilat merren me organizimin e zgjedhjeve janë ata të cilat duhet të merren me kontrollin dhe informimin e partive politike pas mbarimit të zgjedhjeve lidhur me këtë çështje. Përgjegjës për gjoba është KSHZ”.

 Komuna e Çairit

Largimi i materialit propagandues pas përfundimit të procesit zgjedhor është obligim i pjesëmarrësve në fushatë zgjedhore. Ne i bëjmë thirrje KSHZ-së të ndërmerr të gjitha masat e parapara ligjore për pastrimin e territorit të komunave nga mbetjet e materialit propagandues”.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, LSDM-ja ka shpenzuar 171,181 euro dhe kishte të ardhura prej 176,597 euro. Partia e Ahmetit ka harxhuar 96,587 euro. Për reklamat dhe propagandën, BDI në raundin e dytë kanë shpenzuan 95.525 euro. Lëvizja Besa nga donacionet ka mbledhur 43,671 euro dhe ka shpenzuar 41,491 euro. Partia e Zijadin Selës ka marrë donacion në vlerë prej 4,878 eurosh ndërsa ka harxhuar vetëm 200 euro për propagandë dhe reklama. Shumica e parave gjegjësisht 2,915 euro u shpenzuan për shërbime në restorante dhe ushqime dhe pije gjatë tubimeve. / Alsat-M