Partitë dënuan deklaratën e diplomatit shqiptar: Çejku ka mbetur në vitin 2008


Ish-diplomati nga Shqipëria në Maqedonia në analizën e tij parashikoi formim të shtetit të tretë shqiptar në Ballkan.

Pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një kryetar, deklaratë kjo që nxiti kritika të ashpëra nga shtetet e Ballkanit dhe pas së cilës u distancua vet Rama, ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku me retorikë të ngjashme. Çejku në emisionin “Debati në Channel One” duke analizuar ngjarjet politike në Ballkan tha se deri në vitin 2028 Shqiptarët do të formojnë shtetin e tyre të tretë. Kjo deklaratë e tij nxiti që me reagim zyrtar të dalin LSDM, VMRO – DPMNE, krahu i Shkupit të Lëvizjes Besa por edhe një pjesë e politikologëve.

I pari i cili reagoi ndaj deklaratës së Çejkut është ministri pa resor dhe përgjegjës për Diasporën, Edmond Ademi, i cili deklaratën e Çejkut e emëroi si “vizion i dështuar”. Për Ademin është e dukshme që duke analizuar për ardhmërinë politike të Ballkanit, Çejku në fakt ka ngelur në vitin 2008.
“Ish- Ambasadori Arben Çejku i cili gjatë mandatit të tijë në Shkup dështoi edhe si diplomat edhe si shqiptar, flet për 2028 e në fakt ka mbetur diku në vitin 2008. Mirë që fati i shqiptarëve nuk mvaret nga “vizionet” e Çejkut se po të ishe ashtu na hangër dreqi gjithëve”, shkruan Ademi.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO – DPMNE-ja me kritika të ashpëra ndaj qeverisë, pyet se si është e mundur organet e shtetit duke përfshirë MPJ të qëndrojnë pa reagim ndaj deklaratës së dhënë të Çejkut.
“VMRO – DPMNE është kundër ndryshimit të kufijve dhe dënon çdo iniciativë e cila dëmton unitetin e shtetit. Është skandaloze se si deklaratat e tilla ngelen të pakomentuar prej organeve zyrtare të shtetit duke përfshirë MPJ dhe Qeverinë, të cilët deri në këtë moment nuk dënuan këtë deklaratë, gjë që janë të obliguar ta bëjnë”, deklaruan nga VMRO – DPMNE për “Gazetën e Pavarur”.

Krahu i Shkupit të Lëvizjes Besa deklaratën e Çejkut shkurt e komentuan si të dëmshme për rrugëtimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimorë.
“Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e kanë përcaktuar se janë për agjendë euro-atlantike dhe këto deklarata nuk di sa i shërbejnë kësaj agjende. Ne si shqiptarë të Maqedonisë jemi të përcaktuar për integrim europian dhe anëtarësim në NATO dhe ky është përcaktimi jonë strategjik”, tha zëdhënësi i Lëvizjes Besa Orhan Murtezani për “Gazetën e Pavarur”.

Politikologu dhe gazetari Xhenis Sulimani deklaratën e Çejkut e vlerëson si “fjalë të dështuar që nuk duhet ti thotë një ish-diplomat”.
“Shumë politikanë deklarativisht, sidomos në momente festive, thyejnë shumë kufij. Retorika e tyre është plotë fjalë të mëdha. Gjithë kjo vetëm për të shprehur diçka të madhe, për t’u dukur vet i madh, jo që do realizimin e asaj që thotë. Kur jemi te deklarata konkrete e ish ambasadorit, kujtojmë se i njëjti ishte ambasador në kohën e regjimit më të errët për shqiptarët e Maqedonisë, por që i njëjti aso kohe as deklarativisht s’ka dënuar politikat e Nikolla Gruevskit. Shikuar nga ana tjetër e medales, deklarata të këtilla në moment euforike as nuk duhet bërë lajm. Ballkani perëndimor po shkon drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe atje kërkohet politikë qytetare, vlera universal, aty ky shkohet me flamur shtetëror por kontribuohet për tërë Europën dhe Botën. Prandaj retorikat e këtilla, sidomos kur vijnë nga ish diplomat i cilësoj si huqje të mëdha”, deklaroi Sulimani.

Blerim Ismaili