Parashtrohen 12 kërkesa për amnisti

Deri sot në mëngjes në Gjykatën Penale në Shkup kanë arritur 12 kërkesa për amnisti nga të akuzuarit për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga 27 prilli i vitit 2017, konfirmuan për MIA-n nga Gjykata.

Afati pesëditorë për dorëzimin e kërkesave për amnisti skadon nesër. Kërkesat e të akuzuarve mund të dorëzohen në Gjykatë personalisht dhe me postë. Pas skadimit të afatit për parashtrim të kërkesave, Gjykata dhe Prokuroria do të ketë afat prej pesë ditëve të përgjigjen kush do të falet e kush jo.

Ligji për amnisti të enjten u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikë së Maqedonisë , pasi ky ligj u nënshkrua nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.

Kuvendi i Maqedonisë më datën 18-të të këtij muaji me procedurë të shkurtër me 95 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e miratoi Ligjin për amnisti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Konform ligjit, amnistia nuk do t’i përfshijë organizatorët, personat të cilët kanë kryer dhunë fizike, të cilët kanë mbajtur armë, si dhe personat zyrtarë të cilët i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Secili nga të akuzuarit për “27 prillin” ka të drejtë të kërkojë amnisti nëse ai konsideron se i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj.

Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend janë akuzuar gjithsej 33 vetë, prej të cilëve 31 për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje.

Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakariе Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vllatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.