Paralajmërimi i Bashës: BE ka vendosur kundër negociatave për Shqipërinë

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga vendimi final për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë, kreu i opozitës Lulzim Basha jep një lajm që nëse do jetë me burime të sigurta do shkaktojë reagime të forta.
Ai u shpreh sot për mediat se vendet e BE-se kane vendosur të refuzojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Sipas tij përkundër dëshirës së shqiptarëve dhe përpjekjes së opozitës, Bashkimi Europian vendos këtë javë që Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet.

“Kjo është gjëma që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri, kjo është arsyeja pse këtë javë Bashkimi Europian përkundër dëshirës së 97% të shqiptarëve, punës që kemi bërë ne si opozitë, prapëseprapë vendos që Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet sepse kushti themelor është të ndërtojë një shtet të së drejtës dhe jo një shtet të drogës, jo një narkoshtet.

Kushti themelor është të ndërtojë një ekonomi me shanse të barabarta për të gjithë dhe jo një ekonomi të parave të pista të drogës ku 5 banda kriminale dhe 5 oligarkë kontrollojnë të gjithë ekonominë. Biznesi i vogël dhe i mesëm është në kolaps, profesionistët janë në arrati, mediat të kapura dhe rinia e pashpresë”, u shpreh Basha./Gazeta Express