Osmani: Shqiptarët nuk kanë dilema, Marrëveshja me Greqinë stacioni i fundit drejt BE-së dhe NATO-së


Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë dilema rreth Marrëveshjes me Greqinë dhe do ta mbështesin në referendumin në vijim, jo vetëm sepse i hap dyert drejtë BE-së dhe NATO-s, por edhe pse e ruan identitetin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, thekson zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në intervistë për Bi-Bi-Si në gjuhën serbe.

Osmani thotë se partia e tij BDI-ja u ka propozuar partnerëve qeveritar të koalicionit që të bëjnë fushatë të përbashkët për pranim të Marrëveshjes para referendumit të vjeshtës.

“Kjo do të ishte hera e parë që maqedonasit dhe shqiptarët të bëjnë fushatë të përbashkët. Gjithmonë ndahemi në zgjedhje, ndërsa kjo do të mund të ishte porosi e mirë për marrëdhëniet ndëretnike – së bashku ta ndërtojmë shtetin dhe të shkojmë në NATO”, thekson Osmani.

Sipas tij, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni do të jenë në harmoni vetëm nëse ekziston perspektivë e qartë për anëtarësim në BE dhe në NATO.

Ai vlerëson se pranimi i Marrëveshjes do t’i eliminojë të gjitha pengesat për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe politik të vendit.

“Maqedonia si civilizim dhe shtet i takon Perëndimit. Me vendet e Lindjes kemi marrëdhënie të mira bilaterale, por i përkasim Perëndimit. Maqedonia edhe gjeografikisht edhe historikisht është në udhëkryq ku bashkohen Lindja dhe Perëndimi, ndërsa dihet se aksidentet e komunikacionit më së shpeshti ndodhin në udhëkryqe”, thotë Osmani në lidhje me dispozitat strategjike të Maqedonisë.

Për pritjet e Maqedonisë, pas Marrëveshjes së arritur me Greqinë, që përfundimisht të marr datë për fillim të bisedimeve, Osmani thotë se nëse nuk ka vendim pozitiv nga BE-ja për hapje të bisedimeve kjo do të shkaktonte klimë negative në vend se bëhen viktima pa shpërblime.

“Kjo mund të reflektojë në referendum, ndërsa nëse referendumi dështon do të dështojë edhe Marrëveshja. Nëse dështon Marrëveshja dështojnë edhe idetë për anëtarësim në BE dhe NATO”, thekson Osmani.

Kjo, sipas tij, do të reflektonte negativisht edhe ndaj gjithë rajonin, ndërsa veçanërisht në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Këtu shihet rëndësia e BE-së që të bëjë çudira në rajon – ta transformojë nga rajon i përplasjeve në rajon të bashkëpunimit. Jo të gjithë në BE e kuptojnë se sa është fuqia e BE-së që ta transformojë gjithë rajonin”, thotë Osmani.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane përsërit se viti 2018 është vit historik për Maqedoninë dhe nëse nuk shfrytëzohet, siç theksohet, “mund të përzihen yjet dhe ndoshta në atë rrugë të na sulmojë ndonjë asteroid”.

I pyetur për marrëdhëniet me Serbinë, Osmani thotë se janë në rritje, ekziston bashkëpunim në të gjitha nivelet, ndërsa problemet më të vogla shpejtë zgjidhen. Për vërejtjet nga Beogradi për marrëdhënien e Shkupit drejtë Prishtinës, Osmani thotë se Kosova është realitet të cilin Maqedonia e pranoi dhe kjo nuk do të jetë çështje e hapur ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.