Osmani optimist: Viti 2018 fillim i negociatave për anëtarësim në BE


Sot në Strugë nën organizimin e Sekretariati për Çështje Evropiane, filloi punëtoria “Sfidat 2018” në të cilën administrata e Sekretariatit për Çështje Evropiane, së bashku me kabinetin e Zëvendëskryetarit të Qeverisë Bujar Osmani, do t’i përcaktojnë planet dhe aktivitetet për përgatitjen e Sekretariatit për Çështje Evropiane për sfidat me të cilat do të ballafaqohet Republika e Maqedonisë në rrugën e integrimeve evropiane në vitin 2018, njofton Fol.

“Viti 2018 paraqet vit historik për proceset euro- integruese në Republikën e Maqedonisë, ku si asnjëherë më parë nuk është hapur një dritare mundësie që të bëjmë hap serioz dhe përfundimisht ti mbyllim çështjet për BE-në dhe NATO-n” deklaroi Osmani gjatë hapjes së punëtorisë. Ai shtoi se Sekretariati për Çështje Evropiane, dhe kabineti i tij, si dhe struktura administrative në përgjithësi është e nevojës të përgatitet për sfidat të cilat i sjell viti 2018, si vit në të cilën do të sillen vendime të rëndësishme nga ana e organeve të Bashkimit Evropian, për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë.

“ Përderisa me sukses i adresojmë reformat e parapara, por edhe në përputhje me adresimin e suksesshëm të çështjeve të hapura politike, ekziston mundësi serioze që në vitin 2018 t’i fillojmë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Osmani. Ai shtoi se Sekretariati për Çështje Evropiane, si strukturë më profesionale dhe më e përgatitur administrative, duhet që në kohë ti parashikoj këto ngjarje dhe në mënyrë adekuate ta përgatis ekipin, strukturën dhe administratën për fillimin eventual të negociatave.

Punëtoria “Sfidat 2018” realizohet me mbështetje të drejtpërdrejtë nga ana e Agjencionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar- GIZ, respektivisht nga fondi i hapur rajonal për promovimin e integrimit evropian në Evropën Juglindore që gjithashtu janë donator të përgjithshëm të punëtorisë.

Me këtë vazhdon mbështetja për Sekretariatin për Çështje Evropiane, i cili si organ kryesor koordinues i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për monitorim dhe zbatimin e detyrimeve të vendit për afrimin drejt Bashkimit Evropian, në dy dekadat e fundit vazhdimisht e pati nga Gjermania në aktivitetet për përgatitjen e vendit për sfidat të cilat dalin nga procesi euro- integrues.