Osmani: Nuk është momenti për zgjedhje të parakohshme parlamentare


Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale nuk do të ishin në interes shtetëror  pasi muajt e ardhshëm janë kyçë për marrjen e datës për fillimin e negociatave, vlerëson zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, por sipas tij, nëse shihet interesi partiak, nuk ka moment më të mirë se, siç tha, nesër të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

“Nëse shpallen zgjedhjet, me vetëdije do të prishet dinamika për fillimin e negociatave. Megjithatë nëse shantazhohemi, mendoj nëse nuk ka zgjedhje parlamentare, do të ketë bojkot të atyre presidenciale, e kjo do të krijojë krizë institucionale, do të krijojë ndikim më të madh ndaj dinamikës së integrimeve sesa vet zgjedhjet parlamentare, atëherë do të ulemi dhe do të mendojmë”, tha Osmani.

Osmani gjithashtu theksoi se qëndrimi i BDI-së është që Maqedonia të ketë kandidat konsensual për president.  Ai tha se përfaqësuesit e BDI-së gjatë ditëve të ardhshme me partnerët e tyre të koalicionit do të bisedojnë lidhur me kandidatin e përbashkët për zgjedhjet presidenciale.