Osmani: Nuk është e vërtetë se do të shkarkohen nga posti Lika dhe Bekteshi


Zëdhënësi i BDI-së, në një deklaratë për Portalb.mk, i demanton shkrimet nëpër media se në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore të BDI-së është kritikuar puna e zëvendëskryeministrit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika dhe ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe se është i mundshëm shkarkimi i të njëjtëve nga postet qeveritare, shkruan Portalb.mk.

“Nuk është e vërtetë fare. Nuk është biseduar dhe as kritikuar ndonjë nga ministrat, por është biseduar për realizimin e programit qeveritar dhe programeve komunale dhe mënyrat si mundet pushteti qendror t’u ndihmojë komunave në përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve. Në asnjë moment nuk janë hapur çështjet kadrovike”, tha Osmani për Portalb.mk.

Ai më tej shtoi se “BDI po diskuton për politikat e saja në 20 vitet e ardhshme dhe ky debat është unik në organizimet politike në Maqedoni”. Sipas tij, në BDI më shumë bisedohet për ide se sa për ngjarje, për projekte se sa emërime.

Portalb.mk, i ka kërkuar nëpërmjet telefonit celular edhe Likën dhe Bekteshin, por të njëjtët nuk ishin të kapshëm për redaksinë tonë. Portalb.mk, u ka dërguar porosi në numrat e tyre për ta sqaruar situatën, apo për ta dhënë qëndrimin apo vlerësimin e tyre për këtë çështje, megjithatë, deri më tani ende nuk kemi përgjigje.

Ndryshe, portali në gjuhën maqedonase “Plusinfo”, duke cituar një funksionar të partisë, të dielën ka shkruar se Lika dhe Bekteshi janë kritikuar ashpër nga bashkëpartiakët e tyre në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore të BDI-së.

“Më të kritikuarit ishin zëvendëskryeministri për MO-në, Hazbi Lika dhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi për punën e deri tanishme në Qeveri. Vërejtje, por më të vogla ka pasur pothuajse për të gjithë ministrat e BDI-së, nga ana kabineti i kryeministrit Zoran Zaev. Në adresë të Likës ka pasur kritika për vonesën e sistemimit të të punësuarve në bazë të MO-së dhe për përfaqësimin e ulët nëpër institucione të pozitave kyçe nga shqiptaret. Vërejtje të shumta ka pasur edhe për ministrin e ekonomisë Bekteshi, kurse më kritika më të vogla kaluan zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i ekologjisë Sadulla Duraku”, ka shkruar “Plusinfo”.

Portali më tej shkruan se nuk do të jetë befasi nëse Ahmeti i propozon Zaevit ndryshime të disa ministrave. Sipas të njëjtit, paralajmërohet rokadë e ministrave të Drejtësisë dhe Arsimit. Megjithatë nga BDI thonë se gjithçka është në duar të Ahmetit.