Osmani: Nevojitet që administrata të përgatitet për negociata eventuale me Unionin


Statusi i realizimit të reformave në fushat kyçe të përmbajtura në Planin 3-6-9 si dhe potencialet e reja në përputhje me mesazhet që përmban Strategjia e re e KE-së për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025 ishte temë kryesore e seancës së 38-të të Komitetit të Punës për Integrime Evropiane (KPIE) që u mbajt sot në Qeveri në suaza të kolegjiumit të përgjithshëm, me të cilin kryesoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

“Kemi marrë mesazhe jashtëzakonisht pozitive nga ana e Komisionit Evropian, me të cilat valorizohet progresi i deritanishëm në implementimin e reformave dhe përgatitjen e vendit për progres në integrime evropiane”, theksoi Osmani, duke shtuar se Komisioni dërgoi mesazhe të qarta se Maqedonia duhet të pres rekomandim të pastër për fillim të negociatave me Raportin e ardhshëm, si dhe në përputhje për heqjen e pengesave politike, vendim nga ana e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave.

Siç kumtoi Kabineti i zëvendëskryeministrit Osmani, ai e ka theksuar përgjegjësinë dhe rolin e anëtarëve të Komitetit të Punës për fokusimin e gjithë administratës drejt reformave të propozuara, duke potencuar se ky vit 2018 është vit më i rëndësishëm për integrimin evropian të vendit, periudhë
që pasojnë sërë ngjarjesh përmes të cilave duhet ta ndërtojmë pozitën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.