Osmani: Me debat në media nuk do të ndihmojmë në zgjidhjen e çështjes së emrit


Ekziston lëvizje dhe nuk shoh alternativë tjetër lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit. E rëndësishme për suksesin e këtij procesi është debati të mos zhvillohet përmes mediave, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, para hapjes së Konferencës nacionale trilaterale “Eurointegrimet e Maqedonisë dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian.

Ai porositi se kjo ka të bëjë edhe për, ashtu siç thotë, miqtë e palës greke dhe përfaqësuesit tanë.

“Në asnjë mënyrë nuk do t’i ndihmojmë procesit përmes debatit në media. Prandaj duhet ta mbajmë këtë debat në suaza të ekipeve negociuese, ndërsa në momentin kur të kemi në parim ndonjë pajtueshmëri, atëherë mund të dalim në opinion dhe të kërkojmë mendim të qytetarëve edhe nga shtresat e tjera shoqërore”, tha Osmani.

Ai pohoi se nga shtatë pikat në negociata, tre janë më të lehta, ndërsa katër më të vështira, megjithatë, shtoi, nëse tani fillojmë të debatojmë dhe dërgojmë porosi, ai është model i mossuksesit.

“Nuk them se në një moment nuk do të dalim me të gjitha opsionet, por procesi ende nuk është në nivelin e duhur që të mundemi ta ekspozojmë në opinion. Ata që mundohen tani të imponojnë tema të ndryshme për këtë çështje që nuk janë thelbësore, mundohen ta pengojnë procesin dhe besoni se ka forca të cilat nuk duan që Maqedonia ta mbyllë çështjen dhe të arrijë sukses”, potencoi Osmani.