Osmani: Maqedonia pret sinjal për europerspektivë të qartë


Maqedonia pret në Strategjinë për zgjerim të cilën Komisioni evropian do ta publikojë nesër, të marrë perspektivë të qartë evropiane, por edhe mundësi për ta arritur afatin që së[ bashku me Serbinë dhe Malin e Zi në vitin 2025 të bëhet pjesë e Unionit, deklaroi zëvendëskryeminsitri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

“Presim që Maqedonisë të marrë sinjal të qartë se ka perspektivë, kuptohet pas mbylljes së çështjeve të hapura politike në kuptimin e marrëdhënieve me fqinjët, të marrë datë për negociata, por gjithashtu është me rëndësi të fitojë mundësi ta arrijë afatin së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, kuptohet nëse ndërkohë arrijmë t’i përmbushim kriteret. Me rëndësi është të na jepet mundësi, e më pas gjithçka do të varet prej nesh”, tha zëvendëskryeministri Osmani para mbajtjes së mëngjesit të punës me ambasadorët e vendeve nga Ballkani Perëndimor në Republikën e Maqedonisë.

Sipas tij, duhet të kihet parasysh se Maqedonia ka përvojë më të madhe në këtë proces, më së gjati është në këtë proces dhe në realitet ka arritur shumë në kuptimin e harminizimit me legjislaturën evropiane dhe në përmbushjen e kritereve.

“Nëse marrim datë, kjo do të jetë nxitje që ne t’i arrijmë edhe shtetet e tjera të cilat e kryesojnë vetë procesin”, thotë Osmani.

Ai deklaroi se zyrtarisht dokumenti që nesër do të prezantohet në Strasburg, autoriteteve të Maqedonisë do t’u dorëzohet nga euroambasadori Samuel Zhbogar. Lidhur me përmbajtjen e dokumentit theksoi se kanë njohuri preliminare për atë se çka përmban ai duke pasur parasysh se në këtë periudhë janë zhvilluar komunikime intensive me Brukselin, por edhe me vendet anëtare të BE-së, si dhe me vendet e rajonit.

“Për ne është me rëndësi t’i fillojmë negociatat. Maqedonia ka arritur mjaft në atë proces dhe deri më tani në këto 17 vite prej se është nënshkruar Marrëveshja për stabilizim dhe Asociim punojmë në harmonizimin e legjislaturës dhe konsiderojmë se nëse fillojmë negociata, shumë shpejtë do të hapim dhe mbyllim kapituj, sepse ne edhe para se të filloj,ë negociata kemi punuar në atë proces dhe kemi arritur rezultate. Prandaj për ne është me rëndësi të na jepet mundësiaqë edhe ne ta arrijmë afatin, vitin 2025, sepse konisderojmë se do ta kompensojmë shpejtë mangësinë në proces gjatë periudhës së kaluar”, theksoi Osmani.

Zëvendëskryeministri Osmani sot ka mëngjes pune me ambasadorët e vendeve nga Ballkani Perëndimor në Rpeublikën e Maqedonisë. Ky është takimi i dytë koordinues i formatit të këtillë për shkak të rëndësisë së momentit të eurointegrimeve dhe koordinimit dhe sinkronizimit të qëndrimeve, ndërkaq në prag të publikimit të nesërm të Strategjisë për zgjerim të BE-së. SIpas Osmanit, është me rëndësi që me Strategjinë ndërron qasja, përkatësisht jepet kornizë kohore për zgjerim të Evropës me vendet nga Ballkani Perëndimor.