Osmani: Kongresi filloi me procedurën për ratifikimin e protokollit për pranim në NATO


Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili në kuadër të qëndrimit në Uashington dje pati takime në Kongres dhe sot në kuadër të punës i vizitoi Departamentin amerikan të shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, në një deklaratë për MIA-n konfirmoi se në dy komitetet për politikë të jashtme, të Senatit dhe të Dhomës përfaqësuese, ka filluar procedura për ratifikimin e protokollit për hyrjen e Maqedonisë në NATO.

“Kjo është jashtëzakonisht shpejtë dhe e pazakontë, që flet për dëshirën dhe mbështetjen e SHBA-së për ratifikimin. Tani varet si në vetë Kongresin do të shkojë vetë procedura, por procesi ka filluar”, deklaroi Osmani.

Ai tha se projekt-rezoluta për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës e përgatitur nga senatori Ron Xhonson, kryesues me Komitetin për siguri vendore dhe çështje qeveritare pranë Senatit të SHBA-së, që javën e ardhshme shkon në miratim në Senat, duhet të ketë efekt pozitiv në inkurajimin e përshpejtimit të procesit për ratifikimin e protokollit.

“Rezoluta do të ketë efekt pozitiv si këtu ashtu edhe tek vendet tjera anëtare të NATO-s, parlamentet e të cilave gjithashtu duhet ta ratifikojnë pranimin e Maqedonisë”, theksoi Osmani.

Zëvendëskryeministri pret rritje të investimeve amerikane dhe të tjera të huaja me pranimin e Maqedonisë në NATO.

“Nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot SHBA-ja ka investuar 637 milionë dollarë, pjesa më e madhe përmes USAID-it dhe pjesa tjetër përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në buxhet. Pres mbështetja të vazhdojë. Pjesëmarrja në NATO krijon parashikim politik dhe ekonomik me çka investitorët e huaj direkt do të inkurajohen për të ardhur në Maqedoni duke e ndjekur rrugën e vendeve tjera, si Gjermania”, tha Osmani.

Sipas tij, këmbimi tregtar vetëm me Gjermaninë është 4 miliardë euro në vit, nga të cilat Maqedonia ka suficit, gjegjësisht më shumë eksporton sesa importon.

“Maqedonia ka pozitë të mirë gjeografike dhe kushte të volitshme për investime, por ato përforcohen me parashikimin politik dhe ekonomik që tani e jep NATO-ja”, shtoi Osmani.

Lidhur me implementimin e Planit 18, tha se shkurti është afati i fundit kur Qeveria duhet të zbatojë pjesë më të madhe nga reformat, veçanërisht vendimet sistematike.

“Pasi kontributi ynë në raportin e Komisionit Evropian duhet të dërgohet deri më 4 mars. Deri atëherë Kuvendi duhet maksimalisht t’i miratojë vendimet ligjore nga Plani 18. Qeveria duhet t’i implementojë ato vendime ligjore, duke grumbulluar shembuj konkretë për ndryshimet në shoqëri dhe sjelljen e nëpunësve shtetërorë në gjyqësi. në administratën publike, në shërbimet e sigurimit”, deklaroi ai.

Tha se sukses i veçantë është përzgjedhja transparente e Komisionit antikorrupsion, duke shtuar se është optimist për atë që në vend është krijuar klimë pozitive dhe dinamikë.

“Arritje veçanërisht e rëndësishme është përzgjedhja e Antikorrupsionit para zgjedhjeve presidenciale. Ky ishte një ndër elementet kyçe të Planit 18 dhe është argument shtesë i fuqishëm për vendimin për fillimin e negociatave me BE-në i cili pritet të sillet më 21 qershor”, theksoi Osmani.

Para ekspertëve dhe përfaqësuesve nga Departamenti amerikan i shtetit ai sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët në Fondin gjerman të Marshallit, ku pati fjalim në temë “Hapat e ardhshëm: Maqedonia në rrugë drejt reformave demokratike dhe anëtarësimit në NATO dhe në BE”.