Osmani: “Han është keqkuptuar”, Partitë shqiptare: “Urgjentisht të votohet ligji për gjuhët”


Zëvendës -kryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani pohon se eurokomisari Johaness Han është keqkuptuar dhe në asnjë rast nuk është e mundur që debati për propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve të jetë pengesë për votimin e ligjeve për gjykatën, për të cilët reagoi Han herën e fundit që vizitoi Shkupin zyrtar.

“Mendoj së Han është keqkuptuar. Ai tha se tre ligjet për gjykatën duhet të kalojnë deri në dhjetor. Qëndrimi i tij është se nëse debati për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve prolongon votimin e këtyre ligjeve, atëherë është më mirë të kalojnë disa ditë, por ne theksuam se kjo nuk ndikon dhe se më tepër ndikim ka debati për buxhetin se sa ai për gjuhën. Kështuqë, nuk ka nevojë për prolongim të mëtutjeshëm. Thjesht, Han ishte i sinqertë me propozimin e tij”, vlerësoi Osmani.
Pas largimit nga rendi i ditës pikën për debat të propozim ligjit për pëdorimin e gjuhëve për arsye të paqarta, në opinion mbisundon qëndrimi se ai hap është bërë pas vëretjeve të dhëna nga eurokomisari Han kur tha se kjo gjuhë nuk është një prej prioriteteve të qeverisë së re, por gjyqësia, administrata publike dhe reformat në sistemin për kundërzbulim. Partitë shqiptare edhe më tej janë të njëzëshëm se propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve duhet ditë më parë të votohet në Kuvend, ndërsa njëkohësisht Bujar Osmani paralajmëroi se çdo ndryshim i propozim ligjit mund të hapë Kutinë e Pandorës.
Për “Gazetën e Pavarur” nga Lëvizja Besa deklaruan se ky propozim ligj ashtu siç është për momentin nuk është zgjidhja e vërtet dhe se i njejtë nuk rregullon përdorimin e “shqipes”.

“Lëvizja BESA edhe pse e përkrah nevojën për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka shumë vërejte lidhur me atë se si ky propozim ligj do të rregullojë këtë çështje dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Me këtë propozim ligj nuk zyrtarizohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare. BESA ka parashtruar amendamente për ato nene në Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me atë që gjuha shqipe të bëhet gjuha e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Lëvizja BESA konsideron se për Maqedoninë janë nevoja imediate reformat dhe për këtë do të gjejë mbështetjen tonë. Nëse vazhdohet me neglizhimin e gjërave prioritare nuk mund të thuhët se jemi duke ecur drejtë”, deklaruan nga Besa.
Aleanca për Shqiptarët që në fakt janë dhe propozues të ligjit për gjuhët nuk presin që propzimi i tyre të prolongohet dhe fuqimisht besojnë se i njejti duhet ditë më parë të votohet.

“Ligji i përdorimit të gjuhës shqipe vlerësojmë se duhet të sillet sa më shpejt që është e mundur, pa stërgjatje dhe taktizime të ndryshme, madje është shumë i vonuar, kur dihet se ka qenë pjesë Kryesore e marrëveshjes së Ohrit dhe si i tillë është inkorporuar në Kushtetutën e RM, ndërsa ka munguar një ligj adekuat për përdorimin e saj. Është shumë e vërtetë se ASH ka qenë aktive në përpilimin e këtij propozim ligji duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë kushtetuese, për përdorim cilësor në tërë teritorin e shtetit si dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike. Në jemi poashtu propozuesit e këtij propozim ligji. Sa u përket amandamenteve mendojme se shumica parlamentare duet të jetë në mbrojtje te propozim ligjit ashtu sic është. Ata deputete apo parti politike, qe nuk e lejojne barazine e plote mes maqedonishtes dhe shqipes nuk e kane te drejtë ta nivelizojnë shqipen me gjuhët e tjera te komuniteteve me te vogla si me turqishten, serbishten etj”, sqaruan nga Aleanca për Shqiptarët.

Në Komisionin për Çështje Evropiane për këtë propozim ligj janë dërguar gjithësej 90 amandamente, prej të cilëve 84 janë nga VMRO – DPMNE, katër nga LSDM dhe dy nga BESA.

Blerim Ismaili