Osmani: Ekziston konsenzus termi Maqedoni të gjendet në çdo variant për zgjidhjen e kontestit


Aktualisht ekziston konsensus që termi Maqedoni të gjendet në çfarëdo varianti për të zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në një intervistë në Analiza 24.

Ai theksoi se autoritetet greke pranojnë emër në të cilin do të përfshihet termi Maqedoni.

Osmani nuk donte të fliste hapur për zgjidhjet e mundshme aktualisht, duke theksuar se në interes të të gjithë procesit për zgjidhje përfundimtare të kontestit nuk duhet që të licitohet me emra.

“Nevojitet vendosmëri tek të dyja qeveritë për të gjetur zgjidhje, këtë tani e shohim tek të dy qeveritë, ka vullnet dhe vendosmëri që të gjendet zgjidhje, pavarësisht presioneve ditore-politike, të cilat i kemi si qeveri dhe si parti politike. Tani nuk duhet të licitohet me propozime, të cilat nuk janë të pjekura. Edhe ne, edhe grekët ofrojmë propozime, ndërsa Nimic duhet të japë një zgjidhje të pranueshme të përbashkët”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se të dy vendet përpiqen që të gjejnë zgjidhje të pranueshme e cila nuk do të, siç tha, godasë në vlerat e ndjeshme të të dy shoqërive.

Osmani tha se në bisedimet nuk mund të bëhen negociata për identitetin dhe se edhe grekët pozicionohen në këtë mënyrë, që identiteti nuk mund të jetë lëndë e negociatave.

Shtoi se pala greke dëshiron që të bëhet dallimi midis rajonit të tyre dhe vendit tonë.

Osmani shtoi se momentalisht është e rëndësishme që të ruhet dhe përforcohet dinamika e kontakteve me Greqinë.

Ai përmendi se zgjidhja e kontestit është e rëndësishme se tani ka ardhur koha, sepse Maqedonia nuk duhet që të mbetet jashtë nga NATO-ja, veçanërisht, tha, në turbulencat aktuale gjeopolitike, që do të jetë rrezik për vendin.

Në intervistë Osmani tha se deri tani në nivel qeverie nuk është biseduar për ndryshimin e emrit të aeroportit dhe të autostradës, por konsideron se duhet që të ketë hapa reciprokë në ndërtimin e besimit midis dy vendeve që, siç tha, mundet në mënyrë të konsiderueshme ta përmirësojnë procesin.