Osmani dhe Dimitrov: Maqedonia meriton datë për negociata me BE-në dhe ftesë për në NATO

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov, morën pjesë në një takim punë me ambasadorët e vendeve – anëtare të Bashkimit Evropian në Maqedoni, organizuar nga ambasadori i Bullgarisë në vend, Ivan Velikov Petkov. Tema e takimit ishte gjendja politike rreth proceseve euro-integruese në Republikën e Maqedonisë, në kontekst të mesazheve dhe konkluzioneve nga Samiti i Sofjes kushtuar Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria e Bullgarisë, Kryeministri Bojko Borisov, dhe në përgjithësi shteti Bullgar, meritojnë të gjitha lëvdatat për suksesin e Samitit të Sofjes, por edhe për përpjekjet e përgjithshme të cilat gjatë periudhës së kaluar rezultuan me aktualizimin e plotë të procesit të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Bashkimit Evropian”- theksoi Osmani në fillim të takimit, duke i shprehur mirënjohje mikpritësit, ambasadorit Bullgar, Petkov. Osmani shtoi se Republika e Maqedonisë, vitin e kaluar, iu përkushtua tërësisht agjendës euro- atlantike, duke e implementuar me sukses Planin 3-6-9, me të cilin u rikthye besimi si tek qytetarët, ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtar në perspektivën evropiane të vendit.

“Fokusi ynë mbetet agjenda reformuese, dhe së shpejti do të dalim me Planin e ri 18, me të cilin do ti adresojmë gjitha reformat e nevojshme të cilët dalin nga Raporti i Komisionit Evropian, iniciativat kryesore të Strategjisë, konkluzionet e Samitit të Sofjes, si dhe të gjitha raportet tjera relevante që kanë të bëjnë me proceset euro-atlantike” theksoi Osmani, duke shtuar se Maqedonia demonstroi në vepër seriozitetin dhe pjekurinë e vetë që pritet të rezultojë me vendimin e Këshillit të Evropës në qershor për fillimin e negociatave aderuese, si dhe me ftesën për në NATO, më vonë, në Samitin e korrikut.

Në kontekst të ngjashëm para ambasadorëve foli edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov, “Javët që pasojnë janë të rëndësisë së veçantë për perspektivat euro- atlantike të Maqedonisë. Gjendemi në një moment vendimtar që duhet të njohë aftësinë e vendit që të merret me situatën më të madhe, të ndjeshme, politike, në 15 vitet e fundit. Përveç kësaj, ekziston nevojë e qartë të demonstrohet aleanca dhe bashkërisht të renditemi në drejtimin e duhur”, theksoi MPJ Dimitrov, duke potencuar se ka ardhur koha që Republika e Maqedonisë me meritë ta fillojë rrugëtimin evropian me qëllim që, nga njëra anë, të transformohet në një demokraci të fuqishme evropiane dhe të garoj në reforma dhe në ekonomi me vendet e tjera; nga ana tjetër, së bashku me partnerët vet të luftojnë në përballje me sfidat e brendshme dhe globale të sigurisë.

Në vazhdim, Ministri Nikola Dimitrov iu referua përfitimeve nga Samiti i BE- Ballkanit Perëndimor në Sofje, dhe përshëndeti qëllimin e Kroacisë të jetë nikoqir i Samitit të ardhshëm me këtë përbërje gjatë kryesimit me Këshillin e BE-së në 2020. Uniteti i demonstruar i liderëve të vendeve anëtare të BE-së dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmoi edhe një herë perspektivat e rajonit. MPJ Dimitrov bëri thirrje që mesazhet e fuqishme të mbështetjes të vendosen në praktikë: “Republika e Maqedonisë demonstroi qasje të sinqertë dhe serioze për çka është i nevojshëm një valorizim përkatës në takimin e qershorit të Këshillit të Evropës përmes vendimit për fillimin e negociatave, si dhe ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e korrikut”- tha Ministri i Jashtëm Dimitrov në takimin me Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Maqedoni të Organizuar nga Ambasadori i Bullgarisë në vend, Ivan Velikov Petkov.