Nuk pushojnë reagimet ndaj “Shqipes”, Rama: “PS” më e merituara për shqipen zyrtare në Maqedoni


Edhe disa ditë pas miratimit nga ana e deputetëve në Kuvend të ligjit për përdorimin e gjuhëve, reagimet nuk kanë të ndalur. Reagime pësuan edhe jashtë kufijve të Maqedonisë, më saktësisht nga Tirana zyrtare. Kryetari i Shqipërisë Ilir Meta duke përshëndetur miratimin e ligjit deklaroi se ky hap i Kuvendit është “për të mirën evropiane të Maqedonisë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi një hap më larg. Në kundërshtim me deklaratat e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, Rama tha se pikërisht pa partinë e tij në Qeveri në Shqipëri, nuk do të ishte miratuar gjuha shqipe në Maqedoni.

“Të gjithë ata që e përkrahën dhe votuan partinë tonë duhet të mburren sepse pa këtë parti në qeveri në Shqipëri, sot nuk do të kishte përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni”, deklaroi Rama.
Ndërsa në opnionin vendas nuk pushojnë kritikat në drejtim të Qeverisë dhe shumicës parlamentare, të cilët janë në drejtim të faktit që ligji u votuar pa praninë e VMRO – DPMNE-së, në procedur të shkurtër dhe nën flamurin evropian. Ana Pavlovska – Daneva deklaroi se ligj me peshën siç ka ligji për gjuhët nuk guxon të votohet pa praninë e partive opozitare.

“Unë nuk e di nëse disa Nene janë antikushtetuese, për këtë mund të deklarohen ekspertët juridik, por mund të them se ligj me vlerë të till qytetare dhe politike nuk guxon të votohet pa praninë e opozitës në Kuvend, ose në procedur të shkurtër. Ndërsa, askush nuk ka informata pse ky ligj u votua nën flamurin evropian”, porositi Daneva.

Tani topi është në anën e kryetarit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov. Në opnionin vendas, në veçanti atë shqiptar, ekziston dyshimi se Ivanov nuk do ta nënshkruan ligjin, i njejti pastaj duhet të kthehet në rilexim në Kuvend. Por kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në paraqitjen e tij të fundit në opnion tha se nuk pret që Ivanov të bëhet pengesë për miratimin e ligjit.

Probleme të mundshme në aprovimin e ligjit pret edhe profesoresha dhe aktivistja për të drejtat e njeriu Mirjana Najçevska e cila për “Evropën e Lirë” ngriti shumë dilema për funksionimin e suksesshëm të ligjit.

“Mendoj se aprovimi i këtij ligji do të jetë i vështirë për shumë arsye, siç janë mungesa kadrovike, përshkak të mungesës së mjeteve dhe më e rëndësishmja mungesa e vullnetit politik. Për këtë arsye, unë në votimin e këtij ligji nuk shoh përmbyllje të një kapitulli të rëndësishëm të Marrëveshjes së Ohrit. Duhet ta pranoj se unë personalisht isha kundër votimit të një ligji të till. Mendoja (akoma mendoj) se materia për përdorimin e gjuhëve më së miri mund të rregullohet me ratifikimin e marrëveshjeve për gjuhët rajonale dhe të pakicës në Këshillin e Evropës. Kjo marrëveshje të përfiton me idenë e saj për mbrojtjen e gjuhëve si pjesë e pasurisë kulturore të Evropës, me saktësinë e saj si dhe me mundësinë për përmbushjen me zgjidhje të ndryshme në përputhshmëri me gjendjet aktuale tek një shtet”, deklaroi Najçevska.

Kritika për miratimin e këtij ligji kishte edhe nga ana e ish-deputetes Karolina Ristova-Asterud. Sipas saj, ky ligj nuk ka asnjë pikë të përbashkët me flamurin evropian ose me Marrëveshjen e Ohrit.
“Ligjin e votuan në mënyrë brutale, me shantazh dhe përdhunim politik, në mënyrë jodemokratike, me gënjeshtra dhe manipulim të skajshëm. Ligji për gjuhët nuk është as në përputhje me MO-në, as me flamurin evropian- në marrëveshjet sekondare dhe konstituive është i rregulluar përdorimi zyrtar i gjuhëve tek shtetet anëtare , si dhe problematike e gjuhëve të punës në vetë BE-në, dhe nuk ka asnjë përzierje të regjimeve të gjuhëve të një shteti. E tërë kjo, sipas drejtësisë së BE-së është e përfshirë në klauzolën “në përputhje me angazhimet nacionale dhe kushtetuese”, shkroi Asterud duke shtuar se gënjeshtër e madhe është se me këtë ligj nuk aprovohet dygjuhësia në nivel republikan.

Vërejtje ka edhe nga pala shqiptare, edhe pse të papritura. Ish nënkryetari i RDK-së Artan Dika për “Nezavisen Vesnik” tha se edhe në Ish-Jugosllavinë ka qenë e rregulluar si, kur dhe ku të përdoret shqipja.

„Opinioni ynë është i bombarduar me vlerësime joserioze dhe shpesh jokompetente për këtë çështje. Një gjuhë që përdoret në institucionet e një vendi duke qenë e rregulluar me ligj është gjuhë zyrtare. Çështje tjetër është pastaj gjerësia, forma dhe niveli i përdorimit. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare me përdorim të kufizuar në Maqedoni që nga koha e ish-Jugosllavisë. Nëse e banalizojmë temën lirisht mund të themi se edhe gjuha rome është gjuhë zyrtare në Maqedoni, në përdorim zyrtar në Komunën e Shuto Orizares. Ligji i fundit mundëson zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e vendit dhe kjo përbën një hap të rëndësishëm përpara, brenda kornizave (kufizimeve) të vendosura nga Kushtetuta e vendit bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Këtu nuk duhet harruar përcaktimi i 20% si formulim kushtetues nisur nga fakti se shqiptarët sipas Kushtetutës së RM-së nuk janë popull shtetformues, por vetëm maqedonët. Logjikisht maqedonishtja në vend është apriori gjuhë zyrtare pa marrë parasysh numrin e tyre, ndërsa gjuhët tjera (jo shqipja dhe jo vetëm shqipja) janë zyrtare nëse kanë përdorim masiv, pra në këtë rast mbi 20%. Nisur nga ky fakt besoj se nenet e ligjit ku përmendet taksativisht gjuha shqipe do të shfuqizohen nga Gjykata kushtetuese për shkak të antikushtetutshmërisë. Sa i përket rolit të BDI-së ajo ka qenë gjatë kohë në pushtet dhe ka merita vetëm për sjelljen në vitin 2008 të një ligji gjysmak të gjuhës shqipe dhe pastaj në 2011 të plotësimit të këtij ligji me vetëm një nen që u lejonte vetëm edhe ministrave të flasin shqip. Ligji i BDI-së e pat bërë edhe atë përdorim të sakatuar të shqipes vetëm fakultativ, shkrim shtesë të lodhshëm dhe jo të detyrueshëm, pas maqedonishtes së detyrueshme. Besoj e keni dëgjuar një deklaratë shumë të saktë të Fërçkovskit lidhur me faktin se që 15 vjet Kushtetuta e lejon që qytetarët shqiptarë tu drejtohen institucioneve në gjuhën e tyre, por kjo nuk është zbatuar asnjëherë sepse në praktikë institucionet nuk ua kanë lejuar këtë qytetarëve shqiptarë dhe ata nuk kanë patur kujt t’i ankohen, pasi BDI-ja fare nuk ka treguar interesim për përdormin e gjuhës shqipe në jetën e përditshme. Nëse kujtojmë edhe talljet që bënte VMRO-ja me BDI-në me moslejimin e gjuhës shqipe në tabelat në Shkup, megjithëse këtë e lejon ligji, atherë lirisht mund të themi se BDI-së i takon merita që shqiptarët gëzohen për gjuhën tani pas 15 vitesh, se po të mos ishte BDI-ja, këto punë do ishin kryer 15 vjet me parë dhe shqiptarët sot nuk do kishin se çka të festonin”, deklaroi Dika.

Blerim Ismaili