Nuk duhet të zhvishesh që të kesh sukses, Jonida Maliqi një nga rastet e rralla


Nuk u bë këngëtare befas, nuk erdhi nga asgjëja, u ngjit në skenë pasi e farkëtoi talentin në interpretim dhe në zë, në sallat e zhurmshme të Pallatit të Pionierëve. Pati fat, gjithashtu, sepse edhe fati ndihmon. Në një skenë madhore si ajo e Festivalit të Këngës në RTSH, u ngjit shpejt. Një fytyrë topolake, lëvizje të zhdërvjellëta, emocion por i palexueshëm. Kjo ishte Jonida dikur, këngëtarja e talentuar që pritej të sillte diferencën.

Më pas erdhi edhe dashuria, djali, familja, suksesi edhe në fusha të tjera si ajo e biznesit të modës. Erdhën të gjitha bashkë për të, në ndryshim nga suksesi në këngë, këto erdhën shumë furishëm. Jonida zbukuroi jetën, u zbukurua edhe vetë. Aq shumë, sa që me shumë mençuri, arriti të kthehet në një ikonë mode e stili. Mos harroni, ajo ishte e para që arriti shifra rekord në publikimet në rrjetet sociale. Të tjerat? Erdhën pas saj, madje edhe e imituan fort.

Ajo që të bën të reflektosh është se Jonida Maliqi është një nga rastet e rralla kur nuk duhet të zhvishesh që të kesh sukses, në asnjë rast nuk kemi parë fundshpinë të saj, dekolte të na përplaset fytyrës sapo hapim celularin. Ashtu siç asnjëherë nuk luajti me muzikën që zgjodhi të interpretojë e nuk rrëshqiti në vulgaritet, ajo nuk luajti kurrë me sensualitetin e saj, por me ngjyrat po, me flokët po, me aksesorët po. Si një kamaleont është shndërruar krejtësisht shumë herë, për t’u ndalur në një stil të kopsitur kohët e fundit si më i qëndrueshëm. Dukuria? Mbetet e pazëvendësueshme.

E këto ditë, 35 vjetori i saj, 35 vitet e një artisteje që nuk lindi këngëtare pa sukses dhe u drejtua nga moda dhe stili, por që, pavarësisht suksesit dhe çmimeve, zgjodhi të jetë e suksesshme edhe në një fushë tjetër. Sot që është një lady me klas, Jonida ka zgjedhur të heshtë për jetën e saj e të flasë me ngjyrat, duke qenë përgjithmonë vajza e talentuar që gëzon jetën, me të mirat e të këqijat e saja. E kushdo mendon se nuk ja ka arritur e vetme, gabon. Një femër me ide të qarta e që lind me dhunti e talent, është gjithmonë vetëm në iniciativat e saja, e i mbron ato, me çdo çmim.