Njeriu që 27 vjet i priu zgjidhjes së emrit ja çfarë thotë për marrëveshjen


Metju Nimic është diplomati amerikan me karrierë të bujshme, i cili ka qenë protagonisti kryesor në negociatat maratonike gati tre dekada midis Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë. Ai edhe pse në moshë të thyer nuk ka hezituar që të jetë pjesë e këtij procesi dhe një nga faktorët vendimtar për arritjen e kompromisit dhe që ka mbajtur gjallë procesin e bisedimeve.

Nimic dje ka qenë ndër të parët që ka uruar arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se ajo do të realizohet deri në fund.

“Do të doja të uroj për përfundimin e suksesshëm të negociatave për dallimet që ekzistonin mes vendeve. Nuk dyshoj se marrëveshja do të çojë deri në përforcim të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.”, nënvizoi Nimic.

Ai tha se është i nderuar që ishte mediator në këtë proces, duke shprehur mirënjohje dhe faleminderime ndaj sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Urimet e tij u drejtuan edhe në adresë të dy ministrave të jashtëm Kocias dhe Dimitrov.

“Dua t’i falënderoj dhe tua uroj dy ministrat e Punëve të Jashtme, Dimitrov dhe Kocias që treguan vizion dhe vendim në procesin negociues dhe nuk hoqën dorë nga përpjekjet që të gjendet zgjidhje e përbashkët për vendet e tyre”, theksoi ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic. Ai pritet të jetë të shtunën në Prespë në ceremoninë e paralajmëruar për firmosjen e marrëveshjes për zgjidhjen e emrit, me ç’rast emri i ri si kompromis do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut. (INA)