Një mëhallë shqiptare, dy parti politike


Fragmentizimi i çështjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë ka rezultuar me shumë parti dhe të njëjtat po degëzohen edhe më shumë. Njohësit e rrethanave politike thonë se bajraktarizmi është shkaku kryesor i këtij fenomeni famëkeq ndërshqiptar.

Gafurr Adili, ish ilegalist, ka bërë të ditur se si do të quhet partia politike që do ta formojë, Adili poashtu ka bërë të ditur edhe aktivitetet e partisë së tij, duke shkruar se emri i partisë do të jetë Partia e Progresit Kombëtar. Lajmi është bërë i ditur një ditë pas përçarjes së Lëvizjes Besa dhe një kohë të shkurtër pasi që ish ministri i Ambientit Xhelil Bajrami pati paralajmëruar subjekt të ri politik- shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Që do të thotë se luleborat e pranverës shqiptare do të jenë partitë e reja në skenë, shkruan gazeta Lajm.

“PPK (Partia e Progresit Kombetar), nuk do të jetë as majtë dhe as e djathtë, si dhe as e qendrës së majtë dhe as e qendrës së djathtë, por do të jetë parti e qendrës, sepse çështja kombëtare e shqiptarëve në IRJM është e gjithe shqiptarëve, qofshin ata shqiptarë të majtë apo shqiptarë të djathtë.
PPK (Partia e Progresit Kombetar) asnjëherë nuk do ta ketë pikësynim të vetëm pushtetin, por do ta ketë luftën për progres kombëtar të shqiptarëve.
Para disa ditësh e kemi shpalosur programin afatsh-shkurtër (minimal) të PPK-se, ku në pikën 5 (pesë) deklarojmë se nuk do të futemi në bashkëqeverisje me asnjërën nga partite fituese te zgjedhjeve (sllave) që nuk do të pranojë që IRJM të jetë shtet binacional, shtet i maqedonëve dhe i shqiptarëvë.
Sot (8.12.2018) deklarojmë se programin afat-mesëm dhe ate afatgjatë do ta miratojë Kongresi i Parë i PPK-së, i cili do të jetë organi më i larte i PPK-së”, ka shkruar Adili.

Fragmentizimi i çështjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë ka rezultuar me shumë parti dhe të njëjtat po degëzohen edhe më shumë. Njohësit e rrethanave politike thonë se bajraktarizmi është shkaku kryesor i këtij fenomeni famëkeq ndërshqiptar.

“Persona e politikanë të caktuar janë aq egoistë e te pangopur me pushtet, sa që ata janë ne gjendje që ta demtojnë shoqerinë dhe çështjen kombëtare shqiptare, për hirë te ruajtjes së privilegjeve të tyre dhe pozites politike apo shteterore. Karrierizmi dhe egoizmi i tepruar asocon në bajraktarizëm dhe çon shpesh në korrupsion dhe tradhëti ndaj interesave të pergjithshme shoqërore dhe kombetare. Prandaj, karrierizmi dhe karrieristët egoistë duhet të largohen sa me shpesh dhe sa me shpejtë nga pozitat e tyre udhëheqese, para se ata të shkaktojne dëme të pariparueshme për shoqerine.Lufta dhe urrejtja organike midis partive politike dhe lidereve partiake shqiptare, janë shkaku kryesor pse sot shqiptarët janë aq te varfër dhe aq të ndarë! Kjo ndodh si shkak se te partitë politike momentalisht mbizotëron sintagma: “Nëse unë nuk jam i pari…nuk do te jesh as ti””, deklaroi për gazetën Lajm, Xhenur Iseni, politolog.

Sipas tij, qytetarët nuk meritojnë këtë skenë politike, të njejtët janë të dëshpëruar nga partitë dhe subjekti i ri eventual do ta ketë shumë të vështirë për të fituar besimin e qytetarëve sidomos pas ndodhive të fundit që po ndodhin në partinë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa.

“Subjekti i ri politike vlerësoj se do të jetë viktimë e skenës aktuale politike dhe dëshpërimit të madh të qytetarëve, dhe nuk besoj se do të ketë sukses të madh në këtë aspekt, sepse shembujt deri më tani e kanë dëshmuar këtë”, përfundoi Iseni.

Ndryshe, në vijim janë edhe dy parti tjera potenciale që mund të dalin nga përçarja e Lëvizjes Besa.