Një delegacion kuvendor në Strasburg


Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë prej sot deri më 8 shkurt në Parlamentin Evropian në Strasburg, do të marrë pjesë në Takimin e 14-të të Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian – Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim.

Delegacionin kuvendor në Komitet, siç informojnë nga Kuvendi, e përbëjnë deputetët Goran Milevski, Antonio Milloshoski, Betian Kitev, Ejup Halimi, Rexhep Memedi dhe Zhaklina Lazarevska.

Në kuadër të takimit, anëtarët e Komitetit të Përzier nga Kuvendi dhe Parlamenti Evropian do të kenë këmbim mendimesh për marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Në takimin e Komitetit të përzier parlamentar do të këmbehen mendime edhe për zbatimin e Planit 3-6-9, rekomandime nga grupi i ekspertëve të lartë për çështje sistematike nga qeverisja e së drejtës, me theks në reformat dhe në gjyqësinë, reformat zgjedhore, reformat në punën e Kuvendit, reforma në media, reforma në administratën publike, bashkëpunimin me shoqërinë civile, marrëdhëniet ndëretnike, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve dhe Procesin e Berlinit dhe aktivitetet plotësuese pas samitit në Trieste.