Nisin punimet në kufirin Bellanoc-Stançiç

Vend kalimi i shumëpritur Bellanoc-Stançiç, që në Malësinë e Karadakut lidh Republikën e Maqedonisë me atë të Kosovës, më në fund po bëhet realitet. Kjo nga fakti se tashmë kanë filluar edhe punimet për ndërtimin e objektit të përbashkët të këtij vendkalimi kufitar.

“Këtu do të ndërtohet një objekt i sistemit të integruar evropian ku mjetet janë të siguruara nga UE nga IPA Fondet, bartësit e këtij procesi janë qeveria e RM dhe qeveria e RK. Qeveria jonë e Republikës së Maqedonisë e ka autorizuar qeverinë e Republikës së Kosovës që ti kryej gjitha procedurat administrative ku të njëjtat janë kryer është zgjedhur kontraktuesi dhe se punimet kanë filluar në fazën përgatitore, ndërkaq brenda javës së ardhshme do filloj edhe faza tjetër pra faza e ndërtimit, që besoj se ky është një projekt kapital për të dyja anët e këtyre vendbanimeve“, na deklaroi Erkan Arifi.

Përpos qarkullimit të lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, hapja e këtij vendkalimi kufitar mundëson edhe zhvillimin e bizneseve të ndryshme por edhe ekonomisë në përgjithësi.

“Ky projekt është i shumëpritur për banorët e komunës tone dhe banorët që jetojnë andej pikës kufitare të Republikës së Kosovës, për arsye se kjo pike kufitare ka një tretman më të gjerë duke parashikuar qarkullimin e lire të njerëzve, zhvillimin ekonomiko-lokal, bizneset e vogla dhe të mesme kështuqë në këtë pike kufitare do kemi një zhvillim, një e padrejtë që u është bërë këtyre vendbanimeve“, thotë Erkan Arifi.

Ky projekt do të kushtojë mbi 1.300.000 Euro fonde këto të siguruara nga IPA Fondet. Në bazë të dinamikës së paraparë të punimeve pritet që ky vendkalim kufitar deri kah tetori i këtij viti të jetë funksional për lëvizjen e lirë të qytetarëve. /TVM2/