Nimic sot në Shkup


Mediatori i KB-së në kontestin për emrin Methju Nimic pas vizitës në Athinë, sot vjen në Shkup në bisedime dyditore me kreun shtetëror të Maqedonisë.

Nimic, dje, tas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë në MPJ-në greke, Nikos Koxias, deklaroi se ekziston momenti dhe se ka ardhur koha për marrje të vendimeve. Në takim ata të dy kanë biseduar për idetë të cilat ndërmjetësuesi i dorëzoi para dy javësh, i ka dëgjuar pozicionet e qeverisë dhe thotë se ekziston vullnet edhe tek të dyja palët për arritje të marrëveshjes.

Duke e vlerësuar takimin si konstruktiv, Nimic tha se Qeveria greke është e sinqertë dhe aktive në zgjidhjen e problemit.

“Mendoj se ka ardhur momenti. Pritja nuk ka kuptim as këtu, e as tek fqinji verior, përgjithësisht nuk ka kuptim. Bisedojmë për këtë çështje 25 vite, të gjithë e dinë se cilat janë çështjet. Ka ardhur koha për marrje të vendimeve dhe mendoj se jemi në këtë pikë”, tha ndërmjetësuesi pas takimit me Koxiasin, pa dhënë afat konkret kohor, duke potencuar se javëve të ardhshme do të ketë bisedime dhe pastaj do të duhet prej në fillim të vlerësohet situata, raportoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Përfaqësuesi i posaçëm i KB-së në bisedimet për emrin në deklaratë për mediat, nuk deshi t’i zbulojë idetë dhe propozimet e tij, duke thënë se nuk është ide e mirë të komentojë se çka ka propozuar. Theksoi se në mediat dolën disa nga idetë, por theksoi se publikisht tani për tani nuk mund të flitet për këtë.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë greke në intervistë për televizionin grek ERT zbuloi se Greqia nga fundi i shkurtit do t’i parashtrojë Maqedonisë projekt marrëveshjen me katër pika –   propozime për emrin, irredentizmin, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rajonale të Maqedonisë dhe masa për agjendë pozitive

Siç informoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, sipas Koxiasit, marrëveshja e cila ende është në fazën e formulimit, fillimisht do t’i prezantohet Qeverisë greke, ndërsa pastaj Qeverisë së Maqedonisë, nëse pranohet do të paraqesë bazë për zgjidhjen e problemit, do të duhet të marrë dritë të gjelbër nga parlamentet e të dy vendeve do t’i hapë rrugën Maqedonisë deri në NATO dhe BE.

“Në këtë marrëveshje do të përfshihen të gjitha temat që janë të hapura lidhur me emrin. Posaçërisht kapitulli për irredentizmin, por edhe për temat që kanë të bëjnë me ardhmërinë e vendit, për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe agjenda pozitive, se si mundet në mënyrë shtesë të zhvillohen marrëdhëniet tona”, tha Koxias.

Ai, dje lidhur me projekt marrëveshjen, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespondentit të MIA-s nga Athina, theksoi se marrëveshja nuk do të jetë e tipit merre ose lere dhe se pala tjetër do të ketë mundësi që të intervenojë me propozimet e saj. Ai thotë se pala maqedonase e njeh mirë këtë ide, por përmbajtja është përpunuar nga Athina, ndërsa për afatin kohor, ai shkurtimisht komenton “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Për projekt rezolutën, ai tha se e ka informuar edhe mediatorin Nimic.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë greke, konfirmoi se ndërmjetësuesi i ka dorëzuar pesë propozime konkrete, katër emra në gjuhën maqedonase dhe një Maqedonia (Shkupi), ndërsa lidhur me qëndrimet greke tha se sipas mendimit të tij emri duhet të jetë i përbërë me termin Maqedoni, “të mos jetë në anglisht të jetë në gjuhën apo gjuhët e këtij vendi, pa përkthim”.

Lidhur me negociatat për emrin, shefi i diplomacisë greke, e përsëriti pozitën e tij  se emri përfshin shtatë çështje: emrin, përdorimin e emrit, identitetin, gjuhën, përdorimin tregtar, akronimet dhe shenjat.

Në intervistën gjithëpërfshirëse dhe detajuese për televizionin nacional ERT,  lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina, tha se për të cilëndo marrëveshje për zgjidhje mes të dyja vendeve nevojitet që Maqedonia të bëjë ndryshime kushtetuese. I pyetur për atë se çka duhet të ndryshohet në Kushtetutë, Nikos Koxijas i potencoi preambulën dhe dy nene, pa zbuluar detaje shtesë.

Nga kabineti i shefit të diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, për MIA-n deklaruan se në prag të vizitës së të dërguarit të posaçëm të KB-së, Methju Nimic, shpallja publike e qëndrimeve përfundimtare mund të zvogëlojë hapësirën për bisedime.

“Nga ana jonë ka vullnet të mirë për zgjidhje të pranueshme reciproke e cila do t’i respektojë interesat, dinjitetin dhe identitetin e dy popujve. Për të arritur deri në zgjidhje do të duhet vullnet i mirë edhe nga ana tjetër”, thonë nga kabineti i Dimitrovit lidhur me intervistën e Koxiasit për televizionin shtetëror grek ERT.