Nimic e fillon vizitën në Athinë, të mërkurën në Shkup


Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit, Methju Nimic sot e fillon vizitën në Athinë,  në suaza të negociatave të ripërtërira mes dy vendeve për zgjidhjen e kësaj çështje të hapur, e cila paraqet pengesë për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

Nimic vjen për vizitë në dy vendet pas takimit të parë direkt të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, javën e kaluar në Davos,  në të cilin ata dakorduan lëshime të të dyja palëve, ngritjen e negociatave në nivel të shefave të diplomacive, por edhe përpjekjen e fuqishme për intensifikimin  e procesit për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Ndërmjetësuesi do të ketë biseda së pari me autoritetet greke, ndërsa pastaj edhe me ata të Maqedonisë  për koordinim rreth çështjes së emrit, të cilën ditëve të fundit edhe Cipras edhe Zaev e kishin  me kreun shtetëror-politik në vendet e tyre.

Ai me ftesë të autoriteteve të të dyja vendeve, së pari do të mbajë takime me kreun shtetëror-politik në Athinë, në të cilat pritet të informohet për përpjekjet  e Qeverisë së kryeministrit, Aleksis Cipras për ta harmonizuar pozitën në raport të mënyrës për zgjidhjen e kontestit me faktorët politik në vend.

Cipras të premten dhe të shtunën kishte një sërë takimesh me kreun shtetëror-politik për koordinimin e pozitës për çështjen e emrit, me ç’rast  pas përfundimit të tyre doli me konkluzionin se obligohet në periudhën e ardhshme  me përgjegjësi patriotike të synohet drejt zgjidhjes së përbashkët të pranueshme. Kryeministri grek vlerësoi  se është bërë progres, por shtoi se ende është e gjatë rruga deri te marrëveshja.

Nimic, sipas agjendës së tij, e cila edhe zyrtarisht ishte konfirmuar, pritet më 31 janar të arrijë në Shkup, ndërsa ditën e ardhshme janë paraparë takimet me kreun shtetëror.

Në takimet ai do të informohet për konkluzionet nga takimi koordinues i kreut shtetëror politik, që u mbajt të shtunën  për propozimet e tij, nga e cila Zaev  shfaqi optimizëm për konsensus kombëtar, ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski doli me qëndrimin se përgjegjësia tani është në duart e Qeverisë, por edhe se partia konsideron se kontesti duhet të zgjidhet, ndërsa me këtë rast të mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërore.

Në raundin e fundit të bisedimeve për emrin që u mbajt më 17 janar në Nju-Jork ndërmjetësuesi Nimic doli me një set sugjerimesh dhe propozimesh dhe vlerësoi se  në horizont duket zgjidhja e kontestit shumëvjeçar mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Raundi i parë i negociatave të ripërtërira  mes Maqedonisë dhe Greqisë u mbajt  më 12 dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel.