Neziri: Ivanov gjatë gjithë kohës kishte qasje partiake, ligji për gjuhët do të miratohet


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka marrë vendim të mos e dekretojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me arsyetimin se rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

Për analistin Xhelal Nezriri ky veprim ishte i pritur ngaqë Ivanov udhëhiqet nga nevojat dhe interesat e etnisë maqedonase, gjë që mund të shkaktoj ndarje në baza etnike.

“Gjatë gjithë kohës Gjorgje Ivanov është udhëhequr vetëm nga nevojat dhe interesat e një etnie, pra asaj maqedonase, duke tentuar të paraqesë veten si një mbrojtës i interesave të tyre”.

“Gjatë krizës së fundit Ivanov kishte një qasje partiake, duke qenë gjithmonë në një vijë me VMRO-DPMNE. Padyshim, një faktor që nxit konflikte dhe ndarje në baza etnike në një shtet shumetnik” është shprehur analisti Neziri.

Sipas Nezirit ky ligj do te miratohet sërish, me ç’rast Ivanov do të humbas fuqinë kushtetuese për bllokimin e tij.

Paraprakisht ligji duhet t’i nënshtrohet një debati publik, ndërsa vendimin përfundimtar do të japë Komisioni i Venecias.

“Fjalën e fundit do ta japë Komisioni i Venecias, i cili mund të ketë vërejtje e që qeveria në Shkup është zotuar se do t’i marrë parasysh” pohoi Xehlal Neziri.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar në Kuvendin e Maqedonisë më 11 janar, dhe është obligimi i fundit nga Marrëveshja e Ohrit, ku parashihet që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase.