Nexhbedin Kahremani: Situata në Lëvizjen Besa është e tensionuar


Mbrëmë qeveria hapi dyert për kryetarin e Lëvizjes Besa Bilall Kasami. I shoqëruar nga Fadil Zendeli, atë e priti kryeministri Zoran Zaev. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski, tha se ishte një takim miqësor ku kryetari Kasami, i ka ofruar mbështetje shumicës parlamentare, mbështetje të reformave dhe se nuk është biseduar për përfshirjen e kësaj partie në Qeveri.

“Takimi ishte lajmëruar para disa ditësh, nuk bëhet fjalë për ad-hok takim, ajo çka është biseduar me Lëvizjen Besa është mbështetja e kësaj partie në Kuvend për reformat, për ligjet para votimit, për tjetër nuk është biseduar”, u shpreh Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Por ushtruesi i detyrës-kryetar i zgjedhur i Lëvizjes Besa, Nexhbedin Kahremani, tha se nuk kanë qenë të informuar se çfarë është biseduar në këtë takim mes Kasamit dhe Kryeministrit, sepse për momentin situata është e tensionuar brenda partisë.

“Sa i asaj se a ka pasur ofertapër të hyrë në qeveri, ato janë punë të fshehura, ende nuk dihet, për arsye se situata në Lëvizjen Besa, është e tensionuar. Unë pas lajmërimit tim në procesin në polici, është njoftuar edhe ministri i MBP-së Oliver Spasovski, është njoftuar edhe kryeministri, dhe besoj se është biseduar mes kryeministrit dhe Bilall Kasamit për këtë problem”, tha Nexhbedin Kahrimani, U.D. Lëvizja BESA.

Ndërkohë mbrëmë në emisionin Click Plus, kryetari Kasami, tha se në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin nuk është biseduar për inkuadrim të tyre në qeveri, por për dhënien e mbështetjes në implementimin e reformave, ligjeve në kuvend si dhe për procesin euro-integrues të vendit. Sipas Kasamit, ky takim është caktuar më herët dhe se nuk ka lidhje me zhvillimet e fundit në partinë e tij.