Nesimi: Ndryshimi i emrit me shprehitë e mbrapshta të së kaluarës


Javën e kaluar Maqedonia edhe një herë dëshmoi se nuk është shtet normal dhe akoma nuk din t’i bëjë punët brenda institucioneve. Me shumë fanfarë të shtunën më në fund u mbajt takim koordinues për të ndërtuar konsensus për çështjen e emrit. Në tryezë të përbashkët u mblodhën Ivanovi, Zaevi, Mickovski e Ahmeti, secili me enturazhin e vet të zakonshëm. Si zakonisht në raste të këtilla takimi disaorësh u mbajt dhe përfundoi pa transparencë dhe pa ndonjë informatë të rëndësishme për publikun. Pjesëmarrësit dhanë ca deklarata të thata me gjuhë birokratike, secili për qëllime të veta politike. Me një fjalë gjithçka u bë tinëzisht, larg syve të publikut dhe jashtë institucioneve.
Nëse qëllimi i këtij takimi ishte arritja e ndonjë konsensusi për çështjen e emrit, lirisht mund të thuhet se ai dështoi; jo për rrethanat maqedonase por për praksën normale të shteteve normale. Në rradhë të parë kjo për shkak se që në start është diskutabil vetë formati dhe përbërja e këtij takimi. Sot e kësaj dite nuk është e qartë pse në takim morrën pjesë mu ata politikanë të caktuar.

Nëse takimi duhej të ishte takim koordinues i krerëve të lartë të shtetit, atëherë nuk merret vesh çfarë kërkonin aty Mickovski e Ahmeti, njëri pa asnjë post shtetëror e tjetri vetëm një deputet i thjeshtë. Si krerë të shtetit vendin aty e kishin vetëm Ivanovi si kryetar e Zaevi si kryeministër, ndërsa i treti në tryezë duhej të ishte Talat Xhaferi si kryetar i institucionit më të lartë të shtetit. Këtyre eventualisht mund t’iu bashkangjitej ministri i punëve të jashtme dhe përfaqësuesi shtetëror për bisedimet për emrin, si referues dhe jo pjesëmarrës të barabartë me tre të parët. Në çfarëdo formati mungesa e Talat Xhaferit është lëshim kardinal dhe degradim total i institucionit kryetar parlamenti. Pikërisht mungesa e tij flet se ky tentim për gjoja “konsensus” ishte krejtësisht jashtëinstitucional dhe i ndonjë natyre tjetër.

Alternativa tjetër është të themi se nuk bëhej fjalë për takim të krerëve të shtetit, sa për takim të përfaqësuesve të popullit, me tentim për të qenë sa më gjithëpërfshirës. Kështu të paktën arsyetohet prania e Mickovskit e Ahmetit, por edhe në këtë variant takimi është i dështuar. Në këtë rast aty nuk ka vend për Ivanovin, ashtu siç nuk kishte për Xhaferin, por atëherë lëshim më i madh është mungesa e opozitës shqiptare. Siç duket për të krijuar konsensus ishin mbledhur 99% e maqedonasve dhe 40% e shqiptarëve, duke anashkaluar rreth 130.000 shqiptarë që dhanë votën për partitë tjera shqiptare. Është e kuptueshme dëshira e maqedonasve që si kinse përfaqësues të shqiptarëve të kenë BDI-në dhe Ahmetin si figura të dëshmuara që nuk bëjnë zë, por kjo bie ndesh me faktin e pamohueshëm se në zgjedhjet e kaluara BDI nuk morri as 40% të votave shqiptare dhe nuk ka të drejtë ekskluzive të flasë në emër të tyre. Përderisa lihen jashtë procesit, opozita shqiptare bashkë me shumicën e shqiptarëve nesër nuk do kenë asnjë obligim t’i mbrojnë pozicionet e shtetit karshi Greqisë. Për të mirë a për të keq qoftë, faji do të ngelet te dera e organizatorëve të këtyre lloje tryezash të rrumbullakta të së shtunës.

Natyrisht problemet dhe dilemat e kësaj natyre nuk do të ekzistonin fare sikur Maqedonia të dinte t’i bënte punët brenda institucioneve. Në letër të paktën ka një institucion i cili është organi më i lartë i shtetit, e ku duhet të ndërtohet konsensusi e të diskutohen punë të këtilla si çështja e ndryshimit të emrit. Ai institucion quhet Parlament i Republikës së Maqedonisë. Përveç kryetarit të parlamentit, aty ka përfaqësues edhe nga opozita shqiptare, por edhe nga etnitë tjera, si dhe nga të gjitha shtresat tjera shoqërore. Në një shtet normal kryetari, kryeministri apo kushdo tjetër do të referonte për mbarëvajtjen e bisedimeve para Parlamentit dhe jo nëpër tryeza të rrumbullakta. Aty do të kërkonte mbështetje për hapat e mëtutjeshëm, do të ndëgjonte komente e reagime, e do të maste vijat e kuqe gjatë bisedimeve me Greqinë. Ç‘është më e rëndësishme një mbledhje e tillë do të ishte më legjitimja dhe nuk do t’i jepte askujt hapësirë që nesër të thotë se nuk ka qenë i informuar ose se s’ka patur rastin të thotë fjalën e vet. Konsensus në kuptimin e plotë të fjalës mund të arrihej vetëm në Parlament dhe vetëm ashtu do të kishte garancë se një marrëveshje eventuale me Greqinë do të kalonte në votim.

Përkundrazi si shtet abnormal, në Maqedoni punët bëhen ndryshe; jo në institucione, por në “takime liderësh” si ky i të shtunës. Ulen aty 4-5 burra dhe në mënyrë sekrete e jotransparente merren vesh për çështje jetike të shtetit e shoqërisë, pa pyetur askënd tjetër nga jashtë. Me logjikën e këtyre takimeve secili prej këtyre burrave kontrollon një kope deputetësh, të cilët pa pyetur e pa kundërshtuar do të votojnë gjithçka që do ju thuhet. Në këtë sistem vlerash Parlamenti nuk shërben më si institucion ku merren vendime, por vetëm për t’u vënë vulën vendimeve që merren diku tjetër. Këtë rradhë dëmi është edhe më i madh sepse u degradua edhe institucioni kryetar Parlamenti, duke u trajtuar vetëm si një anëtar tjetër i kopesë i cili është i tepërt në takim, sepse edhe ashtu do të bëjë atë që ja thotë Aliu.

Dhe kështu nga mbledhja e së shtunës kuptuam se konsensusi për emrin do të thotë se edhe kjo çështje do të zgjidhet si më parë, nëpër “takime liderësh”. Nga frytet e dobëta që kanë dhënë deri tash zgjidhjet nga takimet e liderëve, duket se as kjo çështje nuk do na dalë punë e hajrit.

Robert Nesimi