Nesimi: Iluzione të TVSH-së


Ndër pikat më interesante të programit parazgjedhor të garniturës së tanishme qeveritare, që asokohe tërhoqi vëmendje të veçantë te qytetarët, ishte premtimi se shteti do t’i kthejë një pjesë të TVSH-së së paguar konsumatorëve. Ky premtim u përsërit disa herë edhe pas mbarimit të zgjedhjeve, shenjë kjo se nuk bëhet fjalë për manipulim zgjedhor, por se Qeveria vërtetë mendon t’a implementojë në vepër. Sipas saj kjo masë do të testohet fillimisht si pilot-projekt në disa rajone në pjesën e dytë të vitit 2018, e pastaj në tërë vendin në fillim të vitit 2019.

Paralelisht me kthimin e parave në sektorin privat dhe xhepat e qytetarëve, një qëllim tjetër i rëndësishëm i kësaj mase është përmirësimi i arkëtimit të TVSH. Pritet që konsumatorët të kërkojnë më me ngulm kuponat fiskalë, e kësisoj të ndihmohet shuarja e ekonomisë së zezë. Paralajmërohet se secilit qytetar do t’i kthehet 15% e TVSH-së së paguar, çka sipas pushtetit do të thotë se secilës familje do t’i kthehen mesatarisht rreth 500 Euro në vit. Pritet se arkëtimi i TVSH nëpërmjet kësaj mase do të rritet për 300 milionë Euro në vit.

Lënë anash teorinë, mënyra siç po prezentohet kjo masë ekonomike flet për nivel të habitshëm dhe shqetësuës të analfabetizmit matematikor të propozuesit. Një matematikë e thjeshtë tregon se 500 Eurot e premtuara janë larg mesatares së një familje mesatare, madje do të thoshim astronomikisht të paarritshme për më tepër se 99% të popullsisë së Maqedonisë. Kthimi i 15% të tatimit, edhe duke supozuar se të gjitha paratë janë harxhuar në të mira dhe shërbime që tatimohen me 18%, do të thotë se do të na kthehen 2,7% e asaj që kemi harxhuar. Për të kthyer 500 Euro, familja “mesatare” duhet të shpenzojë rreth 18.500 Euro në vit, apo mbi 1.500 Euro në muaj. Dhe përsëri duhet të potencojmë se përllogaritja e këtillë bëhet për blerje të produkteve që kanë TVSH prej 18%, e kjo përjashton krejtësisht gjëra të tilla si kthim kredie, qira, sigurim, si dhe një rradhë produktesh tjera që tatimohen me shkallë më të ulta tatimi. Në realitet vlera e shpenzuar duhet të jetë shumë më e lartë se 1.500 Euro në muaj.

Llogaritjet e vërteta të kthimit të TVSH për një familje mesatare thonë diçka krejtësisht tjetër. Si pikë fillestare mund të na shërbejë paga e fundit mesatare e publikuar, që ishte 23.196 denarë në muaj. Nëse supozojmë se ajo harxhohet e tëra dhe vetëm në produkte me tatim 18%, atëherë këtij konsumatori mesatar do t’i kthehen vetëm rreth 120 Euro. Pasi një pjesë e mjeteve do të harxhohen në produkte të liruara nga TVSH ose që tatimohen më pak, atëherë ky konsumator mesatar realisht duhet të presë shumë më pak se 120 Euro në vit.

Matematika është akoma më e pamëshirshme për një familje të varfër që jeton me rrogë minimale, të cilën e harxhon krejtësisht. Me supozimet më lartë, kësaj familje hipotetikisht do t’i kthehen vetëm 60 Euro në vit, ndërsa në realitet edhe më pak. Prandaj mund vetëm të përfytyrojmë se çfarë befasi e pakëndshme e pret këtë familje, që pret 500 Euro dhe përfundon me vetëm 60. Masa pra nuk është vetëm matematikë iluzore, por edhe PR tejet i keq për pushtetin.
Njëlloj dubioze duket edhe pritja se masa e këtillë do të stimulojë arkëtim shtesë të TVSH për 300 milionë Euro në vit, siç tha vetë kryeministri në një paraqitje të tij. Si duket vlera është zgjedhur për t’u përputhur me 1,5 deri 2 miliardë Euro shpenzim të patatimuar, gjegjësisht me ekonomi të zezë nga 15 deri 20 përqind të BPV. Por këtu harrohet se TVSH është tatim në vlerë të shtuar, gjegjësisht vetëm në marzhë dhe se plot produkte nuk i nënshtrohen tatimit maksimal prej 18%. Kjo do të thotë se të ardhurat shtesë për shtetin nga TVSH do të jenë shumë më pak se 300 milionët e pritura, ose se ekonomia e zezë është shumë më e madhe se 15 deri 20 përqind të TVSH. E në rastin e dytë kemi problem tejet më serioz, që nuk mund të zgjidhet me masa populiste si kthimi i TVSH.

Përveç konstruksionit joserioz matematikor, diskutabile është edhe mënyra se si pritet që kjo masë të funksionojë, e për këtë Qeveria nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme. Këtu ka vetëm dy mundësi: administrimi “antik” mekanik i procesit ose verzioni “modern” elektronik. Në rastin e parë kthimi mund të realizohet ashtuqë secili konsumator periodikisht (çdo tremujor ose çdo vit) do të shkojë tek ekspozitura më e afërt e DAP me një thes me faktura e kupona fiskalë dhe për to do të kërkojë kthim të tatimit. Në këtë rast mund veç të imagjinojmë se çfarë barre do të krijohet për administratën dhe çfarë kaosi do të shkaktohet nëpër sportelet e DAP. Këtu lind edhe pyetja nëse është e mundshme që ky proces të kontrollohet e monitorohet, si dhe lindin shqetësime për potencijalin e madh për manipulime dhe korruptim të tij.
Kryerja e këtij procesi në mënyrë mekanike mund të duket qesharake dhe e tejkaluar për shekullin e 21-të, por për momentin alternativa tjetër duket e pamundshme. Mënyrë tjetër e vetme do të ishte mbajtja e llogarive të veçanta për pagesë të TVSH për secilin konsumator në vend, sistem që do të duhet të azhurohet në çdo kohë. Me fjalë tjera kjo është e mundshme vetëm me përdorim të kartelave individuale elektronike në çdo pikë shitje, në çfarëdo kohe. Bëhet fjalë pra për mbi një milion kartela individuale elektronike dhe qindra mijëra aparate leximi për çdo pikë shitje. Duke parë kaosin që mbizotëron me kartelat më të thjeshta elektronike për shëndetësi, bëhet e qartë se shteti nuk ka kapacitet për projekt të tillë si udhëheqja elektronike e evidencës, llogaritja dhe kthimi i TVSH. Sado qesharak të duket, varijanti i parë megjithatë ngelet opcion i vetëm për momentin.

Në përgjithësi pra propozimi duket si manipulim i thjeshtë parazgjedhor që për ndonjë arsye të paqartë përsëritet edhe pas zgjedhjeve, ose se bëhet fjalë për masë populiste të menduar keq. Kjo do të thotë se propozuesi mashtron ose nuk di çka bën. Në të dy rastet është qëndrim shqetësues për Qeveri që mbahet si reformatore.

Robert Nesimi