Nesër takimi i negociatorëve nga Greqia dhe Maqedonia në Nju Jork për çështjen e emrit


Nesër pritet takimi i negociatorëve nga Greqia dhe Maqedonia në Nju Jork, për çështjen e emrit. Nga Qeveria e Maqedonisë kanë deklaruar se prioritet mbetet zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, edhe atë në pjesën e parë të vitit 2018.

“Bisedimet janë në drejtim të mirë dhe prioriteti i Qeverisë dhe i partnerë ve të koalicionit tashmë dihet zgjidhja njëherë e përgjithmonë e problemeve me fqinjët. Me Athinën zyrtare kemi kontakte të vazhdueshme dhe synimi ynë, të ndihmuar nga ndërkombëtarët, është që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm ky problem të mbyllet dhe ne të jemi pjesë e NATO-s. Megjithatë, gjithçka do të bëhet e qartë në takimin e negociatorëve me ndërmjetësin Nimic më 10 dhe 11 dhjetor”, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë.

Ditë më parë, në një intervistë për gazetën austriake “Viner Cajtung”, Han ka përsëritur se BE pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjendet zgjidhje politike me Greqinë për hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE dhe me këtë, Maqedonia të bëhet pjesë edhe e NATO-s. Ngutja, siç ka përmendur edhe Han, bëhet pasi në verë, fillon fushata parazgjedhore në Greqi ndërsa tashmë është e qartë se kryeministër grek nuk do të jetë Aleksis Cipras, lider ky që është treguar më i hapur dhe i gatshëm për zgjidhjen e kontestit të emrit me Shkupin zyrtar.

“Tani kemi dritare të mundësive nga mesi i vitit të ardhshëm kur fillon fushata zgjedhore në Greqi. Gjithnjë e më tepër kuptohet nevojitet se zgjidhje politike duhet të gjendet”, thotë Han në intervistë, ndërsa thekson se tashmë është përmirësuar edhe klima politika mes Shkupit dhe Athinës. “Marrëdhëniet mes Greqisë dhe IRJM-së janë përmirësuar shumë, falë përpjekjeve aktive të Qeverisë së re në Shkup”, deklaroi Han, duke shtuar se edhe tek Qeveria në Athinë ka vullnet për gjetjen e zgjidhjes politike. Eurokomisari përkujton se Komisioni Evropian deri më tani ka dhënë nëntë rekomandime për fillim të negociatave me Maqedoninë, ndërsa thekson se edhe shtetet anëtare të BE-së tani e kuptojnë se vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të kenë perspektivë të qartë për eurointegrim në mënyrë që të sigurohet stabilitet afatgjatë në rajon. Si shembull të mirë në të cilin u tregua roli pozitiv i BE-së, eurokomisari e theksoi tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. “Me tejkalimin e krizës, u bë e qartë se angazhimi i BE-së mund të bëjë dallim dhe se vendet nga rajoni duhet të kyçen në rrjetin e sigurisë evropiane”, thekson Han.

Almakos.com