Nesër shpallet vendimi rreth aktakuzës për dhunën e 27 prillit


Nesër gjykatësit do të njoftojnë nëse është pranuar aktakuza për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit dhe nëse do të ketë gjykim. Sot tre gjykatës nga Gjykata Penale, prapa dyerve të mbyllura dëgjuan argumentet e palës mbrojtëse se përse nuk duhet të ketë proces. Për ngjarjet e “27 prillit” akuzohen 30 persona për veprën terrorizëm dhe cenim të rendit kushtetues. Mes tyre janë edhe pesë deputetët e VMRO DPMNE-së, Kërsto Mukoski, Luben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski dhe Lupço Dimovski. I akuzuar është edhe ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov. Edhe pse aktakuza është në fazën e vendimmarrjes për atë nëse do të ketë gjykim, prokuroria edhe më tej zhvillon hetime se kush e ka porositur hyrjen e dhunshme në Kuvend. Në dokumentim që pranë gjykatës është dorëzuar më 27 mars të këtij viti, porositës nuk ka. Qëndron vetëm se në këtë organizim të protestave, rol kryesor ka pasur Aleksandar Vasilevski- “Ninxha”.

Pasi nga numri i telefonit, pronësi e Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta pranë Qeverisë, N.N, person nga sigurimi i Nikolla Gruevskit, kryetar i atëhershëm i partisë politike VMRO-DPMNE, e të cilët kanë qenë në Vjenë të Austrisë, në orën 14 e 30 minuta ka kontaktuar me të akuzuarin, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, për momentin i pa kapshëm për organet e ndjekjes, i cili më pas së bashku me të akuzuarin Nikolla Mitrevski – Koljo, për momentin i pakapshëm për organet e ndjekjes, përmes telefonit i kanë kontaktuar të akuzuarit, Jane Çento, Igor Jug, Mladen Dodevski, Zaharie Simovski, MIhail Mladenovski dhe Dejan Davidovski – Desho. E kanë mobilizuar anëtarësinë e Shkupit dhe qyteteve të tjera për hyrje të dhunshme në kuvend, duke e ditur se objekti nuk është i siguruar në mënyrë përkatëse dhe i mbrojtur me forcë policore – thuhet në aktakuzë.

Ndryshe, “Ninxha” u dorëzua pas shtatë muajve arrati. Në marrjen e tij në pyetje, në Prokurorinë e krimit të organizuar, ai mbrohej me heshtje. Në qelinë e tij në burgun hetues në Shutkë janë gjetur dy telefona celular, të cilat ndalohen rreptësishtë. Jozyrtarisht, në burg është nisur hetim se si “Ninxha” ka arritur deri tek telefonat dhe nëse ia kanë siguruar gardianët e burgut. Celularët e konfiskuar janë dorëzuar për ekspertizë që të vërtetohet nëse Vasilevski ndoshta ka kontaktuar me dikë nga të akuzuarit e tjerë për ngjarjet e 27 prillit./Alsat