Nënkryetari i KSHZ-së, Prekopuca nuk pendohet për bonuset


Ende nuk dihet nëse anëtarët e KSHZ-së do t’i kthejnë apo bonusin prej afër 12 rrogash shtesë që i siguruan vetës së tyre larg syve të publikut, për zgjedhjet e anuluara të prillit të 2016, zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit dhe zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Të kontaktuar nga Alsat-M, disa nga anëtarët nuk dhanë përgjigje të qartë, e të tjerët fare nuk u prononcuan nëse bonusin do ta japin për bamirësi, do ta kthejnë në buxhetin e KSHZ-së apo do ta mbajnë për vete. I ftuar në emisionin “Rruga Drejt…”, nënkryetari i KSHZ-së Rexhep Prekopuca vlerëson se puna që e kanë bërë gjatë zgjedhjeve ka qenë e lodhshme, shumat e të hollave që kanë marr si kompensim janë simbolike dhe e gjithë kjo, sipas tij, është ligjore dhe jo e dëmshme.

Të gjitha vendimet në lidhje me këtë janë në bazë të ligjit dhe ky ligj është ndryshuar me konsensus e të gjitha partive të atëhershme ekzistuese në Parlamentin e Maqedonisë. E tani të thuhet se kjo është jo ligjore, unë nuk pajtohem me këtë! – tha Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së./ALSAT-M