Negociatat për emrin vazhdojnë në Vienë

Pas vizitës së shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocias në Shkup, raundi i ri i bisedimeve mes palëve do të mbahet më 30 mars, në Vjenë.

Në këtë takim do të negociohet rreth përmbajtjes së dy Draft-marrëveshjeve të shkëmbyera ditë më parë mes Shkupit dhe Athinës, si dhe draftit të dorëzuar nga ana e ndërmjetësit Matthew Nimic.

Mediat greke shkruajnë se pas Vjenës, Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov pritet të vizitojë Athinën. Sipas televizioneve greke “Skai” dhe “Star Tv”, pavarësisht klimës pozitive nga ana e të dy ministrave, përsëri palët kanë shfaqur papajtueshmëri për disa çështje.

STAR TV thotë se për momentin nuk janë bërë shumë hapa përpara, përkundrazi, kanë dalë në pah probleme të reja, siç është ndryshimi i Kushtetutës, ndërsa SKAI shprehet se Dimitrov e shpjegoi se nuk e sheh pozitivisht propozimin e emrit pa përkthim, si p.sh. “Gorna Makedonija”. Kocias, nga sa pretendon Skai, sqaroi se për Greqinë, ndryshimi i Kushtetutës është parakusht për çfarëdo lloj zgjidhjeje.

Gazeta ‘Ta nea’ shkruan se nëse dikush dëshiron të dalë në një përfundim nga vizita historike e Kotzias në Shkup, ky konstatim do të jetë se të dyja palët janë larg arritjes së marrëveshjes. Kocias çoi në Shkup atë që u lakua si zgjidhje kompromisi për çështjen e emrit.

“Gorna Makedonija” -Maqedonia e Epërme, u duk se do të ishte formula magjike, me të cilën do të zgjidhet pas 27 vjetësh konflikti për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Pala greke kërkon që nocioni sllav të mos përkthehet, por këtu kompromisi duket se është i vështirë.