Negociatat për emrin intensifikohen gjatë javës së ardhshme


Nga java e ardhshme, Maqedonia do të hy në procesin serioz të negociatave të intensifikuara për çështjen e emrit, duke qenë se deri tani, bisedimet kanë qenë me qëllim të afrimit të pozicioneve, njoftojnë për Alsat-M, burime nga Qeveria, transmeton Zhurnal.

Në pajtim me këtë, më 15 dhe 16 shkurt mund të pritet një takim tjetër mes dy ministrave të jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas në Sofje, në kuadër të takimeve joformale mes shefave të diplomacisë të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve aspirante.

Nga Ministria e Jashtme nuk konfirmojnë takimin por thonë që janë në koordinim me dikasterin e jashtëm grek. Deri tani, takimet për përafrimin e qëndrimeve janë bërë edhe pa ndërmjetësin Metju Nimic, por takimet që kanë të bëjnë me negociatat, do të bëhen ekskluzivisht me Nimicin.

Nga shtatë propozimet e ndërmjetësit të OKB-së pas deklaratës së kryeministrit Zaev për një emër me përkatësi gjeografike, në lojë mbeten propozimet.

“Propozimet e Nimicit nuk janë shumë larg nga ajo që ne do ta pranonim”, thonë burimet qeveritare.

Megjithatë nuk precizohet nëse do të pranohet kërkesa e Athinës për emër të ngjitur ose të papërkthyeshëm.

Ideale, sipas burimeve qeveritare, do të ishte që deri në mars të arrihet një marrëveshje mes palëve me qëllim që procesi të mbyllet para Samitit të NATO-s në korrik. Nëse nuk gjendet një gjuhë e përbashkët brenda kësaj periudhe të shkurtër, bisedimet do të vazhdojnë edhe në muajt prill dhe maj të cilat në rast të dështimit, mund të nënkuptojnë se vendi do ta humbë mundësinë për t’u bërë pjesë e Aleancës.

Në këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që në bisedime të kyçen lehtësues diplomatik nga Uashingtoni, Brukseli ose Berlini.

Kërkesa e Greqisë për një emër erga-omnes sipas palës maqedonase nuk nënkupton ndryshim të emrit për përdorim të brendshëm. Qeveria vazhdon të premtojë se nuk do të ndryshohet Kushtetuta, nuk do të ndryshohet kombësia dhe as gjuha. Ata kërkojnë që të bëhet dallim i qartë mes shtetësisë që theksohet nëpër dokumentet zyrtare dhe kombësisë. Jozyrtarisht nga qeveria thonë se ka sinjale që edhe Kisha greke të njohë Kishën në vendin tonë. Sipas po të njëjtave burime, edhe pala greke e shtyrë nga politika e jashtme, ka nevojë të madhe për gjetjen e një zgjidhje.

Nga Qeveria thonë se kanë hasur në angazhim edhe nga ana e presidentit Gjorge Ivanov por edhe nga ana e opozitës, gjegjësisht VMRO-DPMNE-së, kryetari i të cilës thuhet se u ka premtuar konstruktivitet. Ata shtojnë se janë konstruktiv me partnerin e koalicionit BDI-në dhe e njoftojnë atë në vazhdimësi për zhvillimet. Disa herë rishtazi, autoritetet kanë thënë se nuk ka asgjë sekrete rreth negociatave, përveç asaj që është bërë publike.
Referendumi, si veprim i fundit pas arritjes së marrëveshjes, sipas burimeve nga Qeveria është i patjetërsueshëm por pasi opinioni të përgatitet për të. Nuk përjashtohet mundësia që në rast të një marrëveshje eventuale, ai të realizohet edhe pas samitit të NATO-s.