Negociatat, Greqia insiston për emrin “erga omnes”


Athina zyrtare mbetet në qëndrimin fillestar për emrin: zgjidhje erga omnes, për përdorim të përgjithshëm, përfshirje të së njëjtës në Kushtetutë dhe negociata për gjithçka përfshirë edhe identitetin shtetëror dhe gjuhën.

Zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Canakopulos, në një intervistë për televizionin grek Alfa, tha se pozita e palës greke tashmë është e qartë .

“Ne kemi treguar se cilat janë parakushtet e arritjes së një zgjidhjeje. Andaj, nëse fqiu ynë ka disponim dhe vullnet të shkojmë përpara, të drejtohemi drejt një zgjidhjeje të përbashkët të pranueshme, ne jemi të hapur dhe e kemi dëshmuar këtë, por nëse jo, atëherë nuk do të ketë zgjidhje”, deklaroi zëdhënës i qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, shkruan Alsat.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së djeshme të kryeministrit Zaev se nuk negociohet për identitet as gjuhë dhe se “erga omnes” nuk nënkupton emër të papërkthyeshëm as emër për përdorim të brendshëm, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas tha se pala greke beson se zgjidhja duhet të jetë afatgjate.

Pala e Shkupit beson se çdo zgjidhje duhet të jetë e përshtatshme për ta. Ne besojmë se ajo duhet të jetë një zgjidhje e cila do t’i rezistojë kohës dhe do të jetë e drejtë -deklaroi ministëri i Jashtëm grek, Nikos Kocias.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras mbron qëndrimin e njëjtë në të gjitha paraqitjet publike të tij.

“Sa i përket emrit, kam përsëritur se Greqia vazhdimisht angazhohet për përballje të tërësishme dhe definitive me çështjen e pazgjidhur me vendin fqinj, IRJM-në. Kjo d.m.th. zgjidhje erga omnes, respektivisht zgjidhje për një pajtim për një emër, që do të shfrytëzohet për të gjithë, si për përdorim të jashtëm ashtu edhe për të brendshëm. Fakt që do të thotë se emri, për të cilin do të merremi vesh, në të njëjtën kohë të jetë edhe emër kushtetues i vendit fqinj, gjë për të cilën nevojitet ndryshim i Kushtetutës”, deklaroi kryeministër i Greqisë, Aleksis Cipras.

E përditshmja greke, “To Vima” ndërkohë shkruan se gjasat për zgjidhjen e emrit janë të vogla. Duke cituar burimet e saj diplomatike, në artikullin e sotëm pesimist “To Vima” shkruan se pavarësisht përpjekjeve për të arritur kompromis për pikat kryesore, gjithsesi dallimet e të dyja palëve janë shumë të mëdha.