Në shtator do të kuptohet se a pranohet ankesa për vendimin në rastin “Almiri 4-vjeçar”


Vendimi për ankesën familjes së vogëlushit 4 vjeçar, Almir Aliu që u shtyp me makinë nga Boban Iliq për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës, që u dorëzua në fund të muajit qershor, do të shpallet në shtator, pas pushimit vjetor të gjykatave. Kështu bëri të ditur sot, avokati mbrojtës, Asmir Alispahiç për Portalb.mk.

“Ende nuk kemi marrë përgjigje për ankesën e dorëzuar. Presim të mbarojnë pushimet vjetore, që gjykatat të nisin me punë e ta marrim përgjigjen. Kjo do të jetë diku në shtator”, Alispahiç duke sqaruar se nuk ka ndonjë afat kohor se deri kur më së fundi Gjykata e Apelit ka të drejtë të shqyrtojë ankesën, që më pas të caktohet seancë gjyqësore.

Ndryshe, në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht Babai i vogëlushit kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.