Në Samitin e BE-së në rend dite zgjerimi, Franca nuk lëshon pe


Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka konfirmuar agjendën e diskutimeve në Samitin dyditor të BE-së. Zgjerimi do të diskutohet gjatë darkës, pas diskutimeve për Bregzitin që duhet të zhvillohen më shpejtë nga se pritet pasi Brukseli dhe Londra kanë arrit marrëveshje para pak çastesh.

Sipas një funksionari të lartë të BE-së i përfshirë në përgatitjen e Samitit, Franca tani për tani nuk tregon shenja fleksibiliteti, por presidenti Donald Tusk është i vendosur në tentimin të arrijë kompromis. Megjithatë paralajmëron ky burim, rreziku të mos vjen deri te marrëveshja është real dhe nuk duhet të nënvlerësohet.

Donald Tusk ka qenë në kontakt me presidentin francez Emanuel Makron i cili ia ka thënë se nuk ka ndryshim të qëndrimit të tij, theksojnë nga BE. Franca poashtu nuk ka dashur aspak të bisedohet për zgjerimin e Samitit, por Tusk konsideron se tema patjetër të hapet pasi në pyetje është kredibiliteti i BE-së në Ballkan dhe më gjerë.

“Të mos hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishte gabim dhe çështja nuk është se çka mendon KE ose çka mendojnë shtetet anëtare, por çështja është të arrihet konsensus. Diplomatët druajnë se mund që në Samit të përsëriten debatet e zemëruara në këtë temë që i kemi parë në nivel ministror”, ka thënë burim i lartë diplomatik në brifingun me gazetarë gjatë mëngjesit të sotëm.

Nga Brukseli theksojnë se nëse vjen deri te kompromisi, fillimi i negociatave nuk do të ndodhë para vitit 2020.

Sa i takon Francës, qëndrimi i saj, sipas këtyre burimeve është se nevojiten reforma në metodologjinë e negociatave për anëtarësim, por diplomatët theksojnë se Parisi që tani e vendos në tavolinë këtë propozim, jo kur kanë filluar debatet në qershor të vitit të kaluar.

Megjithatë, duket se ka konsensus të gjerë te vendet tjera se është e pranueshme të mendohet për ndryshim të metodologjisë dhe se ajo nuk duhet t’i mbajë peng shtetet kandidate.

Nga Donald Tusk pritet në tavolinë t’i vendos edhe Shkupin dhe Tiranën. Sipas tij, ai është vendimi i duhur, por edhe pse nuk është thënë në mënyrë eksplicite, ndarja e vendeve mund përsëri të propozohet sonte edhe nga Tusku.

“Pajtohem se Maqedonia e Veriut ka bërë punë të jashtëzakonshme me ndryshimin e emrit”, është përgjigjur diplomati për ndarjen e mundshme.