Në Gjykatën Penale aktvendimet për “27 prillin”


Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të publikohet gjykimi për 17-të personave që kanë mbetur, nga 33 të akuzuarit më parë për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, të njohur në opinion si “27 prilli”.

Rastin e udhëheq gjykatësja Dobrilla Kacarska, ndërsa  përfaqësuese e akuzës është Vilma Ruskovska.

Procesi gjyqësor filloi në gusht të vitit të kaluar dhe është një nga proceset më të mëdha në historinë e re të Maqedonisë. Në fillim procesi filloi kundër 33 të akuzuarve, të cilët ishin autorë  të sulmit  në parlament dhe të sulmeve ndaj deputetëve të pushtetit aktual. Por, pas sjelljes së ligjit për amnisti ishin falur 15 persona.

Në bankën e të akuzuarve mbetën Mitko Çavkov, Dushko Lazarov, Goran Gjoshevski-Levi, Mitko Peshov, Oliver Popovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Oliver Radullov, Igor Durlovski, Jane Çento, Igor Jug, Aleksandar Vasilevski-Ninxha, Nikolla Mitrevski-Kolo, Mlladen Dodevski, Gorançe Angelovski, Vllatko Trajkovski dhe Uillijam Mihajlovski, të cilët akuzohen se kanë bërë  vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues.

Çavkov në seancën e sotme gjyqësore do të sillet nga burgu “Shkupi”, ku gjendet  për shkak të masës së caktuar të paraburgimit për shkak të frikës nga arratisja. Prokuroria Themelore Publike në datën 12 të këtij muaji, sipas njohurive të marra dhe për shkak të frikës se ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov do të arratiset dhe do të fshihet me qëllim që ta shmangë përgjegjësinë penale, kërkoi nga Gjykata Themelore Shkupi 1-Shkup t’i përcaktohet masa e paraburgimit.

Autorëve të ngjarjes në këtë proces prokuroria publike ua shtoi edhe pesë organizatorë të tjerë të ngjarjeve më 27 prill: Nikolla Gruevskin, Trajko Veljanoskin, Mile Janakieskin, Spiro Ristovskin dhe Nikolla Boshkovskin, të cilët akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë”.