Ditët në vijim do të dihen hapat konkret rreth “fshesës” së paralajmëruar


Bisedimet rreth “fshesës” së paralajmëruar në Qeveri ende zgjasin dhe pritet, që në ditët në vijim kryeministri të dalë me qëndrim konkret rreth kësaj çështje.

Ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski, i cili është edhe sekretari i ri i përgjithshëm i LSDM-së, sot deklaroi se në ditët në vijim kryeministri do të dalë me qëndrim konkret rreth datës dhe hapave të cilat do të ndërmerren.

“Mbrëmë ne kishim koordinim dhe konsultimet e kryeministrit Zoran Zaev me të gjitha subjektet tjera politike zgjasin. Në ditët në vijim sigurisht do të dalë me qëndrim konkret rreth datës dhe hapave konkretë që do të ndërmarrë. E gjithë kjo varet edhe nga çështjet e tjera në lidhje me BE-në dhe me datën e bisedimeve kështu që, nuk do të kisha se çka të shtoj”, deklaroi Nikollovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se deri ku është procedura dhe a dihen emrat e rinj të ministrave.

Në pjesën e ekipimit dhe strukturimit të udhëheqësissë së re në parti, Nikollovski tha se të gjitha aktivitetet do të kryhen gjatë javës së ardhshme. “Ajo pjesë gjithsesi do të lëviz, por për gjithçka tjetër kryeministri do ta njoftojë opinionin”, tha Nikollovski.