Ndryshon ligji zgjedhor, partitë nuk do të kenë anëtarë në KSHZ, ja kush do të jetë në vendin e tyre!


Kodi zgjedhor do të kthehet në rend dite në pjesën e dytë të vitit, kur pritet të jetë zgjidhur çështja e emrit dhe pasi të miratohet ligji për gjuhët. Një nga ndryshimet kryesore që parashihet është që anëtarët e KSHZ-së të jenë gjykatës, e jo njerëz të propozuar prej partive, njoftojnë burime partiake për Gazetën Lajm.

“Me siguri Ligji do të parashohë që anëtarët e KSHZ-së të zgjedhen nga radhët e gjykatësve që janë anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan. Zgjedhja e tyre do të bëhet me short, duke respektuar edhe përfaqësimin adekuat etnik. Në këtë përbërje KSHZ do të funksionojë tre muaj para dhe tre muaj pas zgjedhjeve, kurse në zgjedhjet tjera do të zgjedhet përbërje tjetër.”, thonë burime partiake duke sqaruar ndryshimet që po përgatiten në KSHZ, e që janë të ngjashme me mënyrën se si ka funksionuar KSHZ-ja para disa viteve.

Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe statusi i sekretarit të përgjithshëm të KSHZ-së. pozita e tij pritet të avancohet në masë të madhe dhe në fakt ai do të ketë “alfa dhe omega” në funksionimin e këtij institucioni.

Ky ndryshim që përkrahet nga ndërkombëtarët, ka marrë mbështetje fillestare nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, përkrahet edhe nga BDI, mirëpo rezerva të caktuara kanë partitë tjera shqiptare. “LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë kohës sa janë në pushtet kanë arritur që në Këshillin Gjyqësor dhe në organet tjera gjyqësore të instalojnë njerëz të tyre, prandaj për ta nuk është shumë me rëndësi nëse anëtarët do të jenë nga radhët e gjykatësve, ose do të delegohen nga partitë”, thotë për Gazetën Lajm përfaqësuesi i një partie opozitare shqiptare.

Edhe pse ndryshimet e Kodit zgjedhor paralajmërohen për pjesën e dytë të vitit, nuk përjashtohet mundësia që ato të shqyrtohen edhe më herët, në rast se paraqitet ndonjë “vakum” në funksionimin e parlamentit, respektivisht nëse çështjet kryesore-emri dhe ligji për gjuhët tejkalohen më shpejt se sa pritet.

Për momentin KSHZ është jashtë funksionit për shkak të dorëheqjeve që dhanë anëtarët e saj pas kritikave të hapura nga ambasadori amerikan, Xhes Bejli, për shkak të honorarëve të majme që i ndanë për vete.