Ndihma mjekësore në kohë e shpëtoi Ziadin Selën nga vdekja, gjykimi vazhdon më 19 mars

Ndihma mjekësore e ofruar e ka shpëtuar liderin e Aleancës së Shqiptarëve dhe deputetin, Ziadin Sela nga vdekja me 27 prill të vitit të kaluar ku u sulmua në Kuvend, tha mjeku Zdravko Çakar i cili së bashku me dy kolegë tjerë nga Instituti i mjekësisë ligjore dëshmoi në seancën e sotme nga procesi gjyqësor kundër dhjetëra të akuzuarve për tentativë vrasjen ndaj Selës, transmeton Portalb.mk.

Përveç dëmtimit në tru, deputeti Ziadin Sela me 27 prill ka pësuar edhe lëndime të tjera.

Mjekja Verica Popovska shpjegoi se lëndimin në tru, Sela e ka pasur në anën e djathtë të kokës dhe deri sa ka qenë shtrirë, nga lëndimet e Selës në tru ka hyrë ajër dhe, siç tha drejtorja, kjo ka mundur të shkaktojë pezmatim në tru.

Në pyetjen e prokurorit, se a mundet që lëndimet të shkaktojnë pasoja të gjata, eksperti tha se edhe pas disa viteve mund të paraqiten sulme neurologjike.

“Për atë ai edhe sot merr terapi e cila e mbron trurin nga sulmet epileptike”, tha mjekja.

Gjykimi për sulmin ndaj Ziadin Selës do të vazhdojë më 19 mars ku do të dëgjohen tre dëshmitarë mes të cilëve edhe gazetarë.

Dje deputeti Ziadin Sela tha se në natën e 27 prillit, në sallën e Kuvendit është goditur me monitor, shtizë flamuri dhe me dërrasë nga dhunuesit, të cilët tani akuzohen për tentim vrasjen e tij.

“Gjëra e fundit që mbaj mend, pasi që isha i trullosur, ishte kur u rrëzova në gjunjë, kur filluan të më godasin në kokë, trup, e gjithandej”, dëshmoi sot deputeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në Gjykatën Penale.

“Unë nuk e mbaj mend kush më ka goditur. Nuk është e mundur në ditë të sotme që për gjithçka të ketë incizim, ndërkaq vetëm te pjesa ime kur më kanë rrahur të mos ketë”, ka thënë Sela.

Në këtë rast të akuzuar janë Kire dhe Cejo Gjeorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavllovski – Kobra.

Ndryshe, në seancën e kaluar, Sela deklaroi se kërkon më së paku 500 mijë euro dëmshpërblim për sulmin ndaj tij. Avokati i tij, Abedin Abduli, tha se në këtë shumë janë përfshirë harxhimet për mjekim dhe dhimbjet fizike, dëmtimet në tru, frika e shkaktuar si dhe cënimi i identitetit personal.