Ndihma e shpejtë në Gjykatën Penale, i përkeqësohet gjendja Munir Pepiqit

Pas diskutimit me mjekët e Ndihmës së Shpejtë, gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se seanca e sotme gjyëqsore do të anulohet, pasi i akuzuari Munir Pepiq duhet të shtrohet në spital. Seanca e re gjyqësore u caktuar për më 21 shtator.

Para dëgjimit të dëshmitarit të tretë Kurto Dudush, gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë, u ndërpre për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Munir Pepiq. Gjykatësja dha pauzë prej gjysëm ore, ndërsa intervenoi edhe ndihma e shpejtë.

Më herët në seancën e sotme ka dëshmuar edhe deputeti Ferid Muhiq. Në pyetjen e prokurores Villma Ruskovska, ai tha se më 27 prill ka qenë në galerinë e sallës së konferencave në Kuvend. Atje është futur i fundit dhe kur përfunduan fjalimet e Zoran Zaevit dhe Talat Xhaferit, ka parë se njerëzit po futen në Kuvend.

Muhiq tha se dhunuesit janë ngjitur në galeri, e kanë sulmuar verbalisht, ndërsa më pasi dikush i ka thirrur dhe kanë dalur të gjithë dhe pas një kohe kanë ardhur policët.

Më herët për ngjarjet e 27 prillit dëshmoi edhe Sashko Kocevski, i punësuar në Kuvend për sistemin elektronik.

Të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit akuzohen për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”. Ata para trupit gjykues thanë se e kuptojnë akuzën dhe se ndjehen të pafajshëm.