Ndërpritet gjykimi për “Monstrën”, vazhdimi të premten

Gjykatësi Ognen Stavrev për shkak të lodhjes së dëshmitarit të mbrojtur e ndërpreu marrjen e tij në pyetje nga ana e Prokurorisë Speciale Publike dhe nga mbrojtja për lëndën “Monstra”, ndërsa vazhdimin e gjykimit e caktoi për të premten, kur do të vazhdojë me dëshmim.
Gjykimi për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, i kryer më 12 prill të vitit 2012, sot vazhdoi pas një pauze nga thuajse një muaj e gjysmë.

Dëshmitari i rrezikuar në seancën e sotme gjyqësore tha se qëndron në deklaratën e dhënë në procedurë paraprake. Në pyetjen nga prokurorja e PSP-së Fatime Fetai, ai tha se për ngjarjen ka kuptuar nga mediat dhe vetë nga arsye morale është paraqitur në polici që të tregojë çfarë di.

Dëshmitari tha se tre-katër ditë para ngjarjes ka parë katër persona me “golf 3” të zi me xhama të errët në vendin e ngjarjes. Theksoi se ka qenë një njeri me shtat të lartë dhe zeshkan, njëri ka pasur shenjë në anën e majtë, tjetri ka qenë tullac, njëri rreth 50 vjeç, ndërsa tjetri 35-36 vjeç.

I pyetur se si janë sjellë, tha se “normalisht si të gjithë njerëzit”. Për herë të fundit i ka parë më 12 prill.

Prokurorja Fatime Fetai në fillimin e seancës kërkoi nga gjykata të fillohet me procedurën e ekstradimit të të akuzuarve Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët gjenden në Kosovë dhe janë të pakapshëm për autoritetet e Maqedonisë, ndërsa është ngritur fletëarrest ndërkombëtar.

Gjykatësi Ognen Stavrev tha se janë në kontakt veçmë me autoritetet kosovare për procedurën e esktradimit.

Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës në 12 prill 2012 kur u vranë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naçevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, ishte hapur lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në dhjetor vitin e kaluar i hoqi akuzat dhe liroi nga paraburgimi të akuzuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Haziri duke iu shqiptuar masë sigurie. Pas heqjes së aktvendimit, rastin “Monstra” e mori në dorë PSP-ja dhe lënda u kthye në gjykim të serishëm.

Për gjykatën të pakapshëm janë ende Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq pas të cilëve është nënshkruar flet-arrest ndërkombëtar.