Mungesa e kuorumit, Kuvendi në krizë

Përmirësimi i marrëdhënieve të pozitës dhe opozitës janë rrugëdalja e vetme nga kriza institucionale. Kështu vlerësojnë analistët të cilët thonë se në këtë gjendje kur shumica nuk arrin të sigurojë as kuorum, votimi i ligjeve të kërkuara nga BE-ja që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve, nuk mund të ndodhë. Madje Petar Arsovski dhe Albert Musliu, flasin për një marrëveshje politike, qoftë edhe takim liderësh për tejkalimin e ngërçit.

“Në Maqedoni në 10 vitet e fundit kriza asnjëherë nuk është ndalur. Ka krizë politike por edhe krizë të sistemit, krizë institucionale, krizë parlamentare dhe krizë qeveritare. Kështu që Maqedonia nuk ka dal nga kriza dhe rastet e fundit në Kuvend e dëshmojnë më së mirë këtë. Ndërsa ligjet që kërkojnë 2/3 e deputetëve të parlamentit do të jenë problem sepse VMRO-DPMNE dhe LSDM ende e shenjtërojnë për të keq njëra tjetrën. Vetëm ndonjë mekanizëm i ri si takim i liderëve ndoshta mund t’i afrojë qëndrimet e tyre”, tha analisti Petar Arsovski.

“Askush nuk pret që ligjet të cilët nevojitet të katrojnë me 2/3 e votave të deputetëve të vijnë në rend pa parapërgatitje politike. Shumica do t’i bindin një pjesë të opozitës që të votojnë. është shumë e qartë që ato ligje kur do të votohen do të ketë një fazë parapërgatitore”, u shpreh analisti Albert Musliu.

Sa u përket ligjeve ju nevojitet shumicë e kualifikuar, deputeti i BDI-së Artan Grubi thotë se së shpejti do të gjejnë konsensus me opozitën për votimin e ligjeve reformuese.

“Ka filluar një dialog mes pozitës dhe opozitës në lidhje me ligjet reformuese që kërkojnë një shumicë të kualifikuar prej 2/3 të deputetëve në Kuvend dhe unë jam I bindur se në javët që kemi para nesh ne do arrijmë një konsensus”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Ndërkaq, edhe pse Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi dje tha se në mungesë të kuorumit, votimi i ligjeve do të shtyhet për ditën e enjte, deputeti Grubi thotë se kuorum ka pasur mirëpo qëllimi ka qenë që të gjithë deputetët e LSDM-së të jenë të pranishëm në kalimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Dje duhej të votohet ligji për përdorimin e gjuhëve por për fat të keq mungonin disa deputet të LSDM-së dhe nuk ishte puna se nuk kishe kuorum për ta votuar ligjin për përdorimin e gjuhëve në Kuvend, por nga dëshira që të gjithë deputet e LSDM-së të jenë pjesëmarrës dhe të marrën përgjegjësi gjithashtu për realizim e programit qeveritarë përfshirë këtu edhe miratimin e ligjit për gjuhëve u vendos bashkërisht në koordinim që të pritet dita e enjte ose dita e nesërme që të gjithë deputetet e tyre të kthehen”, theksoi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Gjatë seancës së djeshme në sallë mungoi koordinatori i grupit parlamentare të LSDM-së Tomisllav Tuntev dhe deputet të tjerë të cilët pamundësuan formimin e kuorumit. Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së Kristjan Mickovski edhe njëherë përsëriti qëndrimin se pa krijimin e kushteve demokratike për punë, nuk do t’i kthehen debatit në Kuvend.

/Alsat-M/