MOST: Deri më tani nuk ka pasur parregullsi në votime


Vendvotimet  në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë hapur me kohë dhe nuk janë regjistruar parregullsi në realizimin e deritanishëm të votimit. Këto janë informacionet e mbikëqyrësve dhe të koordinatorëve rajonalë të Asociacionit Qytetar MOST të cilët janë shpërndarë në vendvotimet.

Asociacioni Qytetar MOST, siç ishte kumtuar në konferencën e sotme për shtyp, e ndjek votimin me më shumë se 1.500 mbikëqyrës. Në 1.160 vendvotime, janë zgjedhur sipas mostrës së rastësishme ose reprezentuese, janë shpërndarë po aq mbikëqyrës, me çka janë mbuluar 33 për qind e numrit total të vendvotimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Mbikëqyrësit e MOST janë statikë, dhe do ta ndjekin procesin e votimit gjatë gjithë ditës. Krahas  kësaj, MOST ka shpërndarë edhe 100 ekipe mobile, të përbëra me nga dy mbikëqyrës, të cilët do të shërbejnë për mbështetje logjistike të mbikëqyrësve statikë dhe kohë pas kohe do t’i mbikëqyrin vendet në të cilat MOST nuk ka shpërndarë mbikëqyrës statikë.   Në mënyrë shtesë, 80 mbikëqyrës do ta mbikëqyrin punën e komisioneve komunale zgjedhore, ndërsa do të mbikëqyret edhe puna e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Potencuan se mbikëqyrës i  MOST është vetëm ai qytetar i cili bart bluzë të verdhë në të cilën në anën e përparme qëndron logoja e MOST dhe është shënuar “Monitoring 2019“, posedon akreditim nga KSHZ dhe autorizim nga MOST vetëm për rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Gjatë ditës, në linjën telefonike pa pagesë  080 080 080 qytetarët mund të prononcojë parregullsi eventuale ose të japin informacione në lidhje me procesin e zgjedhjeve.

Projekti “Mbikëqyrje vendore në zgjedhjet presidenciale dhe lokale për kryetar të Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës 2019” është mbështetur nga: Ambasada Britanike në Shkup, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, Fondi Kombëtar për Demokraci (NED) si dhe nga ana e Projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare.